Vëllezërit Russo te ky film sjellin Bourne-in e tyre, veçse duan ta bëjnë më kompleks, më interesant, më eksploziv, dhe krejt këtë duan ta bazojnë në novelën e Mark Greaney.
Te kjo novelë, Sierra Six është një operativ i suksesshëm i CIA-s, i cili rekrutohet nga një burg dhe kryen disa misione shumë efektive për agjencinë amerikane. Por, gjatë punës së tij ai arrin të mësojë disa sekrete që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion.
Për të mbrojtur këto sekrete, ata vendosin ta eliminojnë atë, dhe në këtë mision angazhojnë një ish-operativ, tani mercenar, Llojd Hansenin.
Llojd Hanseni është Chris Evans, e Sierra Six është Ryan Gosling. Këta dy janë në luftë të distancuar derisa provojnë të eliminojnë njëri-tjetrin. E në këtë “lojë” përfshihen edhe karaktere tjera dytësore, përfshirë edhe atë të Danit, që është Ana de Armas me njërin nga rolet dytësore më të “gjalla” deri atëherë. Billy Bob Thornton është Ficroj, e në rolet tjera vijnë edhe Jessica Henwcik, e Wagner Moura.
Filmi është interesant, i mirë, ka goxha aksion, ndjekje, aventurë, por i mungon ai tensioni që do të përmbushte më mirë historinë, ajo fryma që ka Bourne, dhe këtë nuk e sjellin as 200 milionët e Netflixit.
Për ata që nuk kërkojnë një Bourne, dhe kanë fytyrat kryesore në listën e aktorëve të preferuar, e sidomos fansat e Russove, është goxha film i mirë. Në aspektin teknik shkëlqen, por nuk është diçka që të mbetet në mendje për kohë të gjatë, nuk është film që ua sugjeron të tjerëve. Nota personale: 3/5

