Nganjëherë arti është më i thellë se vetë jeta, realizmi, duke vënë në lajthitje ata që fiktiven e konsiderojnë si të kotë dhe rrjedhimisht mbesin të rrethuar nga ajo që e shohin si reale duke shthurur edhe imagjinatën e fundit për të mos i lënë hapësirë artistëve nga Dostojevski deri te Çaplini.
Ashiqare si parodi e diktatorit famëkeq gjerman, “The Great Dictator” me Charles Chaplin si regjisor, skenarist, dhe aktor, sjell një histori sa thumbuese aq edhe komike, por mbi të gjitha të thellë në aspektin moral dhe filozofik.
Është ajo pjesa e fundit që i jep madhështinë e amshueshme këtij filmi, me një fjalim kumbues edhe gati një shekull më vonë, e fatkeqësisht shumë të nevojshëm për masat e përshkruara në paragrafin e parë të këtij recensimi.
Ngjarja zhvillohet ndërmjet dy luftërave botërore, ku humbësit e luftës së parë botërore, populli i Tomanisë për t’u rikuperuar ka zgjedhur Adenoid Hynkelin në pozitën e liderit. Në po të njëjtin vend, një ushtar veteran i luftës së parë, me amnezi nga ngjarjet e asaj lufte, tash punon si berber.
Jeta e këtyre dy karaktereve, sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, vjen në dy trajektore që megjithatë mund të ndërlidhen vazhdimisht edhe nëse zhvillohen ndaras.
Është një skenar i përkryer – përfshinë përvojën dhe zgjuarsinë që ka pasur Chaplin te filmat pa zë me komedi fizike, e cila vazhdon edhe gjatë monologëve, derisa historia zhvillohet me ritëm të duhur. Krejt kjo ndihmohet me tranzicionin që ka ndërmjet dy historive, falë një editimi mjeshtëror.
Është vepra jetësore e Charles Chaplin, film për çdo gjeneratë, si mësim për të kaluarën dhe mburojë për të ardhmen. Nota personale: 5/5

