Në vitet e zymta të ‘90tave, kur shumica prej neve kemi pasur vetëm një pajisje që ka shfaqur fotografi lëvizëse në shtëpi, kryesisht në gjuhë të fqinjëve dhe me vetëm 4-5 opsione, Cirque du Soleil dhe Fort Boyard kanë qenë dy nga emisionet më atraktive në atë kutinë e vogël.
Cirku gjithmonë ka shërbyer si një skenë mahnitëse që ka ofruar nga atraksionet aerobike, kafshët e Safarit në një ambient njerëzor, dhe skeçet komike në një kolazh argëtues televiziv.
Kolazh të këtillë dëshiron të sjellë edhe Bredi kur synon të mbajë të gjallë cirkun në një turne të gjatë dhe të plotë, dhe për të joshur vizitorët angazhon edhe një yll të njohur evropian, Sebastianin e Madh.
Ardhja e tij, si e çdo ylli të ri në një ekip stabil, krijon atmosferë të re, shpesh me tension dhe rivalitet, dhe kjo më së shumti vërehet tek mëria që ka Holli, ylli kryesor i këtij cirku.
Por, si çdo miqësi e dashuri e madhe, edhe këtu kemi disa që pikënisjen e kanë në inat dhe urrejtje, e ndasitë si gjithmonë zvogëlohen edhe kundrejt sprovave dhe faktorëve të jashtëm, e që në cirkun e Bredit dalin të jenë me bollëk.
Në aspektin teknik filmi ka goxha copëza legjendare, sidomos për filmbërësit të cilët mund të shijojnë në maksimum madhështinë e Cecile B. Demille. Shumica e aktorëve janë detyruar të mësojnë skenat e tyre aerobike, e emrat e këtyre aktorëve janë goxha të mëdhenj, sidomos disa që marrin hovin pas këtij filmi, nisur nga Charlton Heston në rolin e Bredit.
Betty Hutton, Cornel Wilde, Dorothy Lamour, Gloria Grahame, e i paharrueshmi James Stewart vijnë në rolet tjera kryesore.
Filmi është i madh, siç e ka adet DeMille, pak i gjatë, pak edhe i mbivlerësuar ndoshta. Pos entuziast e çmendur të kinematografisë, studiuesit e filmit, dhe fansat e Hollywoodit të “boomerave,” nuk besoj që dikush tjetër do të kënaqej me këtë film. Nota personale: 3/5

