Janë disa filma që trajtojnë racizmin në mënyrë aq të përkryer si ndër dukuritë më çnjerëzore të mundshme me një përsosmëri emocionale që të shtynë të bashkë-ndiesh me karakteret në ta thuajse po ndryshon edhe vetë racën tënde.
Ndër këta pak filma është “The Help,” i bazuar në novelën e Kathryn Stockett, i kthyer në film nga miku i saj i fëmijërisë, Tate Taylor, për të cilin deri sot ky mbetet filmi më i mirë i realizuar.
Ngjarja zhvillohet në qytetin Xhekson të Misisipit, në vitin 1963, atëherë kur kishte marr hov Lëvizja për të Drejtat Civile, gati një shekull pas përfundimit të Luftës Civile Amerikane.
Juxhinia (Emma Stone) është një vajzë që aspiron të bëhet shkrimtare, dhe rrugës për në shtëpi nga shkolla ajo sheh diçka që pavërejtur po bëhej “punë e madhe” përreth – racizmin që vetëm sa po bëhej më mizor. Për të ngritur zërin kundër kësaj dukurie, si çdo njeri me mendje duhet të bëjë kundër padrejtësive në shoqëri, çfarëdo qofshin ato, ajo merr guximin të shkruaj një libër.
Libri i saj do të jetë për “ndihmën,” punëtoret që shërbejnë në shtëpitë e atyre që e mendojnë veten si më superiorë për shkak të racës.
Juxhinia dëshiron të përshkruajë gjithçka, nga punët më të pista që detyrohen t’i bëjnë për shpërblim minimal nganjëherë, deri te angazhimi për rritjen e fëmijëve e punëdhënësve që në fund do të dilnin racistë që do të shtypnin fëmijët e vet atyre grave që do i rrisnin.
Emma Stone shpërthen si një aktore serioze me këtë rol, e Viola Davis e Octavia Spencer vijnë me rolet e karrierës së tyre, me një aktrim të përkryer, të ngrohtë, që afrojnë shikuesin në ngjarje duke të shtyrë të ndjesh çdo emocion të tyre që përçojnë.
Është një aktrim i papërsëritshëm nga të dyja!
Bryce Dallas Howard, Jessica Chastain, Allison Janney, e Sissy Spacek vijnë në rolet tjera, kryesisht negative, dhe bëjnë një punë të mirë duke shtyrë filmin të jetë fenomenal.
Përkundër temës, filmi arrin të jetë si “jeta” – nëpër krejt atë dhunë e poshtërim, ka çaste ku në krejt këtë, Ajbelina dhe Mini arrijnë të gjejnë momente hareje, sado e zymtë të jetë ajo.
Ndër filmat më të fortë me temë racizmin është “The Help,” dhe duhet të jetë në çdo listë të filmave për ngritjet e vetëdijes për këtë dukuri të shëmtuar. Është goxha i rëndë, emocionalisht, jo medoemos vizualisht, por jo aq sa është kjo dukuri. Nota personale: 4/5

