The Island (2005)

The Island (2005)

Diqysh krejt teoritë konspirative dalin të vërteta, veç duhet me prit pak.

Edhe pak a shumë, njëjtë edhe ky film, që çuditërisht, sot kur shohim mbrapa, mundemi me hedh shumë paralele që përputhen me disa të vërteta të frikshme, kuptohet, për ithtarët e teorive konspirative.

Nën regji të Michael Bay, ky është njëri ndër filmat e tij të paktë që nuk ka eksplodime… apo ndoshta ka?!

Ngjarja zhvillohet në stilin e Big Brother.

Është viti 2019 dhe dy persona, Lincoln 6 Echo dhe Jordan 2 Delta jetojnë në një vend të izoluar, në një komunitet utopik ku ka rregulla të rënda, dhe më shumë ngjajnë në të burgosur se sa njerëz që presin lotarinë për të dalë nga ky ishull.

Këta dy persona janë Ewan McGregor dhe Scarlett Johnasson, të cilët vijnë në rolet kryesore dhe shkëlqejnë me një harmoni fenomenale në skena të ndryshme që kërkojnë transformime të konsiderueshme në portretizimin e karaktereve të tyre.

Në rolet tjera vijnë edhe Steve Buscemi, Sean Bean, Michael Clarke Duncan, e Djimon Housou, e skenari vjen nga Alex Kurtzman dhe Roberto Orci, të njohur për seritë Hercules, Xena, dhe Alias.

Pra, goxha emra të mëdhenj janë të përfshirë dhe bëjnë një punë të mirë për të ofruar një film goxha interesant.

Skenari është inovativ, shumë mirë i ndërtuar, me kthesa e mister që qëndron në nivel për tërë kohën duke mbajtur shikuesin të interesuar, e të mahnitur, të them të drejtën. Filmi është pak i gjatë, por ia vlen për të dhënë krejt përgjigjet që na duhen si shikues.

Është ndoshta ndër filmat më të nënvlerësuar të Scarlett Johansson, njëri nga ata xhevahirët e fshehur, pa harruar edhe paraqitjen po aq të bukur të Ewan McGregor. Tema e mirë, realizimi i mirë, aktrimi edhe më i mirë. Nota personale: 4/5