Daniel LaRuso është një fëmijë tinejxher i cili me nënën e tij zhvendoset në një lagje të Los Anxhelosit, ku si çdo fëmijë që vjen në një ambient të ri, has në ngacmime nga vendasit, e në rastin e tij janë banda e doxhos Cobra Kai.
Kryesori ndër ta është Xhoni Lorensi, dhe si zakonisht, krejt kjo kalon te romanca, dhe Danieli fillon t’i pëlqej ish-it të Xhonit, Ali.
I vetmuar dhe pa miq në ambientin e ri, Danieli gjen shoqëri në një imigrant japonez nga Okinava, Mister Mijagi, i cili del të jetë një mjeshtër karateje dhe veteran i Luftës së Dytë Botërore.
Këtu fillon rruga e hakmarrjes e Danielit ndaj atyre që e ngacmojnë, por ashtu siç e parasheh sporti dhe filozofia e karatesë.
Edhe sot, 40 vite më vonë, gjithçka që ka të bëjë me universin që zanafillën e ka në këtë film mbetet legjendare, deri te sezoni i fundit i “Cobra Kai,” njërës nga seritë më të mira në Netflix, e që fillimisht ishte në YouTube Premium.
The Karate Kid është njëlloj versioni i përshtatshëm për fëmijët që nuk mund të shikonin Rokin e Rambon, një ambient më afër reales dhe larg skenave eksplicite të gjakut dhe mavijosjeve.
Ralph Macchio është i përkryer për atë fëmijën që e ngacmojnë te shkolla, e Pat Morita është gjyshi, mentori virtual i çdo fëmije që ka shijuar këtë film nga atëherë deri më sot. Roli i tij është i mrekullueshëm, si një plak i qetë, i urtë, i matur, ai që e mban në rrugë LaRuson.
Është aktrim aq i mrekullueshëm sa që nga ky film që nuk duhej të ishte asgjë më shumë se një hit komercial, i siguroi Mister Mijagit nominimin për Oskar.
Filmi bëhet më i mirë kur e shohim që regjisori është John G. Avildsen, i cili ka kryer këtë punë edhe te Roki, e skenari vjen i inspiruar nga një histori e vërtetë e Robert Mark Kamenit.
Ky film s’do të ishte asgjë pa një grup antagonistësh nga Xhoni Lorens te mësuesi i tij, Xhon Kriis, të cilët e baraspeshojnë ngjarjen në mënyrë të përkryer për të ndërtuar një hero të pabesueshëm në LaRuson dhe Mister Mijagin.
The Karate Kid është ai filmi më i mirë në botë kur e sheh si adoleshent, dhe nuk ndërron deri të plakesh. Nota personale: 5/5

