Te vazhdimi i dytë i historisë së Mister Mijagit, ngjarja zhvendoset në Japoni, aty ku mësojmë më shumë për të kaluarën e mësuesit tonë të preferuar, e që njëkohësisht shërben si një ligjëratë shtesë që ka ai për Danielin, dhe për neve si shikues.

Filmi fillon me një rikapitullim të antagonistëve dhe finales së filmit të parë, në atë që duhet se do të kemi një rund të dytë me ta, por pa kaluar shumë kohë, e kemi Danielin që mëson se Mister Mijagi do të kthehet në vendlindje me të pranuar një letër.

Vetë udhëtimi i Danielit vjen si befasi, e edhe atje, gjërat duket se përshkallëzohen papritur duke ngjarë më shumë në një film krim, mafioz, me “mirëpritjen” që i bëhet Mister Mijagit me të zbritur në aeroport.

Së pari, ata që kanë parë “Cobra Kai” do të njihen me Shozenin, ku vjen si një karakter krejt ndryshe dhe pastaj me familjarin e tij, me të cilin Mister Mijagi ka një të kaluar të pakëndshme. Nga kjo e kaluar, por me emocione krejt tjera do të shohim edhe arsyen e largimit të Mister Mijagit nga Okinava, gjë që do të pasqyrohet më vonë edhe te Danieli.

Filmi është goxha emocional, tash pak më shumë kur elaboron ndjenjat e dikujt shumë më të vjetër se Danieli, dhe më shumë ngjan në dramë se sa aksion karateje.

Sigurisht, nuk mungojnë as zënkat e duelet, joformale të karatesë, por mbi të gjitha dominon filozofia e këtij sporti, ta quaj më thjesht.

Aktrimi është në nivel, ndonëse Ralph Macchio si në karakterin e tij i jep pak më shumë zor të bëjë të veten. Pat Morita është i shkëlqyeshëm, e edhe shtesat e reja janë goxha në nivel me karakterin dhe ngjarjen në të cilën janë të përfshirë.

Fotografia është edhe më e bukur duke na sjell një Japoni të lezetshme për syrin, e regjia e skenarin janë nga të njëjtit prej filmit të parë, dhe në të njëjtin nivel.

Ndryshimi i vetëm është te përqendrimi i historisë dhe kalimi te karakteri i Mister Mijagit. Më shkurt është filmi i Mister Miijagit, dhe është i realizuar shkëlqyeshëm. Nota personale: 4/5