Pas aventurës në Japoni, filmi vazhdon në aeroport, me t’u kthyer Danieli dhe Mister Mijagi në Los Anxhelos, aty ku duan të vazhdojnë jetë të re, por e kaluara nuk i le të lëvizin para ashtu siç e prisnin.
Së pari, duhet të gjejnë banesë të re, të gjejnë punë të re pastaj, dhe në fund, edhe shoqëri të re.
Danieli heq dorë nga kolegji, investon paratë në biznesin e Mister Mijagit për të hapur dyqan bonsaish, dhe sigurisht, njoftohet me një vajzë të re, Xhesikën, duke harruar krejt karatenë.
Por, karateja nuk i harron.
Kris në kërkim të hakmarrjes, bashkon forcat me një ish-shok ushtrie, Terri Silver, për të shkatërruar konkurrencën me Cobra Kai, dhe me planin final për të mënjanuar Mister Mijagin, dhe marr titullin nga Danieli.
Laruso refuzon të regjistrohet në kampionat, dhe kjo shtynë bandën e Kris, më saktë Silver, që të bëjnë çmos për ta shtyrë drejt regjistrimit, pasi titulli pa fitoren ndaj Danielit nuk është i ëmbël.
Danieli, më saktë Ralph Macchio është edhe më bezdisës se në dy filmat e parë, duke e tepruar me atë vullnetin e tij të pakufi në çdo gjë që merr si cak, por krejt kjo ka një arsye. Kësaj nuk i ndihmon as fakti se ai në moshë është më i madh se Silveri, shoku i ushtrisë për Kris, që ta luan krejt rregullin e karaktereve dhe aktorëve që duhet të portretizojnë ata.
Sikur kjo nuk mjafton, Robyn Lively, Xhesika është vetëm 16 vjeç dhe Macchio 28 vjeç, dhe kjo sado që mundohemi ta lëmë mënjanë, disi na bie në sy.
Ndoshta për këtë shkak edhe harmonia mes tyre është e dobët në film, e në anën tjetër, secili karakter duket se është një botë në vete.
Filmi ka qenë i nevojshëm për një fund të denjë, historia, skenari është mirë i menduar, por kastingu e prish pak, si dhe aktrimi i Ralph Macchios i cili ashiqare ka probleme me portretizimin e një tinejxheri një dekadë më të ri, dhe duke i dhënë zor, bajagi dështon.
Megjithatë, finale e denjë. Nota personale: 3/5

