Gazetaria është një profesion fisnik në mbrojtje të së vërtetës dhe kumtimit të saj te sa më shumë njerëz, njoftimin e tyre me faktet që provojnë të shtypen nga ata që manipulojnë me të vërtetën dhe masat.

Fatkeqësisht, te ne kemi pak e shumë pak gazetarë të vërtetë. Kryesisht janë biznesmenë që shtiren si gazetarë dhe duan të mbrojnë veprimtarinë e tyre biznesore të kultivuar nga rrenat dhe mashtrimi i masës, se sa të vërtetën.

I tillë nuk ka qenë Sydney Schanberg, i shpërblyer me çmimet më prestigjioze në zanatin e gazetarit, dhe i portretizuar nga Sam Waterston në filmin “The Killing Fields.”

Në këtë film, bazuar në biografinë e Schanberg, vjen historia e tij gjatë raportimeve për masakrat dhe gjenocidin e Khmer Rouge dhe Pol Potit në Kamboxhia gjatë viteve 1970ta.

Historia e tij fillon me ardhjen e tij në Phnom Pneh, ku e pret një përkthyes dhe gazetar vendas, i cili do të jetë krahu i tij i djathtë edhe kur të gjithë vendosin të largohen nga vendi me ardhjen e pushtetit të frikshëm të Khmer Rouge.

Misioni i tyre për të sjellë të vërtetën kthehet në një mision mbijetese, njëkohësisht me krimet më makabre të para në film që vijnë para syve tanë duke e bërë këtë film të duket si një rrëfim dokumentar në luftë për jetën.

Bashkë me Sam Waterston, në rolet kryesore vijnë edhe John Malkovich e Craig T. Nelson, por puna e Haing S. Ngor, një i mbijetuar i zullumeve të pushtetit kamboxhian, pa përvojë të mëparshme aktrimi, sjell një përjetim origjinal, të palustruar, të vuajtjeve të tija nga jeta reale në film.

Përkrah aktrimit të Ngor, pjesa teknike e filmit e bën “The Killing Fields” një rrëfim goxha origjinal duke kapur skena të paredaktuara, ashtu siç janë ngjarjet e një lufte dhe mbijetesës.

Është një film emocional, goxha i rëndë në masë, që tregon se përjetimet tona do të treteshin në histori pa guximin dhe virtytet e njerëzve që të vërtetën e kanë mbi të gjitha. Mos mbetshim pa gazetar, shkrimtar, e mbi të gjitha fotoreporterë, të cilët vuajtjet tona i treguan botës gjatë viteve ‘90ta, dhe janë ndër faktorët kryesorë të lirisë që gëzojmë sot. Nota personale: 5/5