Përkundër që jam “buf” i historisë dhe filmave “paraprak,” filmi i tretë i Kingsman nuk arrin të përçojë kënaqësinë që e kanë ofruar dy të parët.
Arsyen për këtë ndoshta e gjej te mungesa e “çoroditjes” dhe aksionit që japin dy filmat e parë, dhe harmonia skenike që kanë karakteret në ata filma. Të dyja këto janë prezente edhe te “The King’s Man” por jo aq mirë sa në dy të parët.
“The King’s Man” fillon mirë – kemi një familje në një kamp, dhe pastaj ngjarjen e parë që do të shpie te krijimi i shërbimit sekret. Gjithçka fillon lehtë, qetë, ngushtë – Ralph Fiennes, Gemma Arterton, dhe Rhys Ifans, që të tre të po të njëjtin nivel si aktorët në filmat paraprak në mos edhe më të mirë shkaku i Fiennes.
Pas kësaj, shëtitja nëpër vende e ngjarje të ndryshme historike anembanë globit, të gjitha të ndërlidhura me ngjarjet e vërteta, që njëkohësisht ofron një brumë për konspiracionistët, janë intriguese dhe goxha mirë të shtjelluara, porse roli i antagonistit, ndoshta për shkak të pikëpamjeve të mia politike, nuk më ka pëlqyer, puna e bariut!
Në vete, “The King’s Man” është i shkëlqyeshëm, bile një pikënisje goxha e mirë për ata që fillojnë të shohin këtë seri të filmave, pasi me çdo film që shohin vetëm sa do të bëhet më i mirë.
Por, për dikë që ka shikuar të dy filmat e parë, dhe pret një “nivel” të tillë të komedisë e aksionit, mund të jetë pak zhgënjim, ani pse të gjitha janë mirë të shtjelluara, sidomos skenari që ashiqare kërkon më shumë punë se dy filmat e parë.
“The King’s Man” mbetet një film i nevojshëm për franshizën, më serioz se dy të parët, dhe assesi më i mirë. Nota personale: 4/5
