Janë dy qasje që mund t’i kemi ndaj këtij filmi, të dyja nga këndet ekstreme – të pasionuarit për filmin, fillestarët që duan të shohin filma të mëdhenj, të famshëm, të suksesshëm, dhe pensionistët që kanë parë mijëra filma dhe janë antipatik dhe dyshues ndaj çdo filmi.
Po të shkruaja për këtë film para gati 20 viteve kur fillova të shkruaja për filma, ende pa mbushur të 20tat, do ta shihja si një kryevepër që tregon për një qytet drejt zhdukjes, ku dy djem të rinj, maturantë, do të provojnë të shijojnë jetën në mënyra krejt të ndryshme – njëri fillon një lidhje intime me një grua në moshë, tjetri lidhje të shfrenuar shoqërore me një vajzë të ndrojtur, të dy me idenë për të ndier diçka, për të shijuar jetën e cila sikur po i ngufaste në lule të rinisë.
Por, pasi po shkruaj sot, atëherë them se është një film që provon të japë një ide të shfrenuar të një rinie e cila për të shijuar jetën bën gjëra ekstreme, intime, ultra-radikale për një shoqëri konservative, dhe ky film i Peter Bogdanovich shërben si një shtytje për të sfiduar normat e shoqërisë, për të shtyrë para politikat e shfrenimit dhe prishjes së shoqërisë që kanë në plan studiot e mëdha, elita e Hollywoodit, e cila shpërblen çdo film që sfidon këto norma, vetëm e vetëm që të prishë shoqërinë konservative në tentim për të arsyetuar epshin e tyre të pakufi.
E nëse zgjedhim mesataren, duhet të themi se filmi është i mirë, goxha i zymtë, jo vetëm nga ngjyrat, por edhe më shumë nga historia, dhe kjo mund të dallojë varësisht se çfarë moshe ka shikuesi, një fakt tjetër që dallon te lloji i filmave që pëlqejmë.
Timothy Bottoms e Jeff Bridges vijnë në rolet e dy maturantëve të cilët zgjedhin rrugë të ndryshme për t’u bërë “burra.” Ben Johnson dhe Cloris Leachman fitojnë Oskar për role dytësore, me role jetike për të zhvilluar ngjarjen.
Regjia dhe skenari vjen nga Peter Bogdanovich, i cili tenton të jetë një Orson Welles, por që shkon në ekstremin seksual, diçka me të cilën s’do të përlyhej Welles. Dhe kjo është ajo pjesa që sjell disa skena që ashiqare duket të përshtaten me qasjen e dytë që përmenda në lidhje me vlerësimin e filmit.
Pa ato, filmi do të ishte një histori e rëndë, e pranueshme për një qytet në zhdukje, dhe dy maturantë të humbur në udhëkryqin e jetës. Nota personale: 2/5

