Lufta kurrë nuk është zgjidhje!
Edhe nëse nuk të vret, të le me pasoja e trauma, e të vetmit që shijojnë lirinë janë përfituesit të cilët edhe para luftës nuk e kanë pasur aq keq!
Por, nganjëherë zullumi është aq i madh sa që bindesh se edhe vdekja është më e mirë se jeta nën okupim.
Si nga lufta e fundit te ne, si nga luftërat tjera, ashtu edhe nga “The Last Samurai,” mund të nxirrni këto përfundime.
A ju kujtohet ndonjë film ku Tom Cruise duket normal?
As mua!
Këtu, ai fillon me prezantimin e një pushke në një sallë të mbushur ku për të dëshmuar fuqinë e saj, fillon të shtijë aty para turmës. Pas pak, ai është i ftuar në darkë biznesi me komandantin e kolegun e tij, si dhe një japonez i cili planifikon të sjellë pushkën në një vend ku shpata është arma kryesore.
Kjo pas “suksesit” të Nathanit (Tom Cruise) në shfarosjen e indianëve vendorë në betejat nëpër Amerikë. Thellë në vete, këto vepra të tij e ndjekin dhe i shkaktojnë parehati e pendim për atë që ka bërë, dhe që do ta bëjë kundër japonezëve të pambrojtur.
Por, në Japoni, ai lihet për i vdekur në betejën e parë. Megjithatë mosdorëzimi i tij i kushton me “rrëmbim” nga Katsumoto, apo “samurai i fundit”, karakter i portretizuar për merak nga Ken Watanabe.
Harmonia e tyre skenike e bën këtë film një aventurë të veçantë me trajektoren që marrin këto dy karaktere nga fillimi deri në fund të filmit, me një afërsi që gjithmonë ringjallet sa herë që shikoj këtë film.
Aktrimi është fantastik, ndonëse Hiroyuki Sanada (Shogun), dhe sidomos Timothy Spall kryejnë një punë po aq të mrekullueshme me rolet e tyre.
Pos aktrimit e historisë, aty janë bukuritë natyrore shembullore të Japonisë që e bëjnë filmin të ketë një fotografi që të ngopë zemrën e lëre me syrin.
Mbi të gjitha “The Last Samurai,” tregon mizorinë njerëzore që përshtatet me shumë fjalë të urta tona, sidomos me “çka ta bën i joti, s’ta bën i huaji,”
“The Last Samurai,” është një ode e përkryer për rebelimin e vërtetë në të cilin është bazuar kjo ngjarje. Nota personale: 5/5
