Gjithmonë mendoj se ndoshta fakti që më është dukur qesharake frizura e Alfa Alfës në fëmijëri ka ndikuar që të mbetem pa flokë sot.

Ndonëse, nuk kam qenë i vetmi kur edhe shokët e tij e kanë parë si tradhtarë të misionit të grupit të tyre “He-Man Woman Haters Club.”

Ky film është i papërshkrueshëm!

Dua të them gjithçka, nga momenti i parë deri tek i fundit, si fëmijë të bën ta shikosh me endje, emocione që të përpijnë brenda ngjarjeve duke të realizuar ëndrrën që e ka çdo fëmijë – të jetë një i rritur sa më parë, të bëj punë të rriturish, të ketë botën e tyre në një univers paralel ku nuk janë prindërit.

Dhe kjo është ndoshta ana më pozitive e filmit, që është krejt botë e fëmijëve, me një përjashtim që kur e shikon sot, 30 vite më vonë, e kupton që i vetmi prind që ka një hapësirë më të madhe në këtë film në fakt është personi më i keq në botë, sipas shumicës.

“The Little Rascals” ka shumë të mira, përkundër antagonistëve.

Secili fëmijë e ka rolin e tij të cilin e jetëson përkryer, e më e mira e krejt saj është kur në grup kanë një harmoni të përsosur me njëri-tjetrin duke nxjerr më të mirën nga krejt filmi. E kjo bëhet edhe më e lezetshme kur shohim thjeshtinë e aktrimit, që në shumë raste as nuk duket aktrim, por thjesht sjellje fëmijësh.

Filmi zbukurohet edhe më shumë me paradën minimale të disa emrave të njohur të botës së argëtimit atëbotë, të cilët më shumë shërbejnë si një bllok i shkurtër i programit ekonomik propagandistik.

E ajo që e bën filmin aq të mirë është vetë ideja që është një botë me ide fëmijërore ku po këta fëmijë mendojnë se janë të rritur, dhe kjo mospërputhje mes këtyre dy botëve e bën filmin të mrekullueshëm, në çdo aspekt.

Si fëmijë filmi të jep emocione, material për botën tënde imagjinare, e si i rritur të bën nostalgjik për atë fëmijën që e ke brenda vetes duke të ringjallur po ato emocione të çiltra, të bardha, të paprekura nga ëndrra më e keqe që kemi pasur si fëmijë – të rritemi.

Klasik i paharrueshëm. Nota personale: 5/5