Pas një aventure ikjeje, ta quaj kështu, në filmin e parë, te Dy Kullat, kemi atë transformimin e ngjarjes në Tokën e Mesme që i jep kuptimin krejt sagës së LOTR-së.
Prandaj, emocionet që m’i jep ky film, nuk kalohen as nga Kthimi i Mbretit, ku gjithçka shkon në një shkallë më tutje, por nuk është asgjë e papritur pas asaj që përjetojmë gjersa ndjekim rrugëtimin e karaktereve në këtë film.
Kemi Frodon dhe Semin në njërën rrugë, nga e cila nuk mund të heqin qafe Gollumin, që akoma edhe sot më rrëqeth trupin sa nga pamja edhe më shumë nga zëri që i jep Andy Serkis me njërin nga aktrimet më të mira dytësore në histori të kinemasë, e që fatkeqësisht kurrë nuk ka marrë lëvdatat që meriton.
Në tjetrën anë kemi Gandalfin në misionin e tij për të kërkuar të mirën te miqtë e tij të vjetër të cilët rrezikohen nga hija e së keqes, dhe momente kur shohim aftësitë e tija të vërteta dhe çfarë e bën atë që është ai.
Dhe kemi vëllazërinë e unazës, a çka ka mbetur nga ajo pas filmit të parë, të cilët vazhdojnë rrugën drejt finales së madhe, me shpresën që vetëm sa vjen e u shuhet kur e zeza vetëm sa vjen e afrohet.
Është kjo errësira në luftën finale që i jep ngjyrën e vërtetë kësaj përballjeje, duke e bërë edhe më të llahtarshme këtë akt, kur dihen edhe faktet që i paraprijnë kësaj ofensive të Sarumanit.
LOTR: Two Towers tregon mbi të gjitha që suksesi i filmit të parë nuk ishte aspak i rastësishëm, duke bindur të gjithë në mjeshtërinë e Peter Jackson i cili një kryevepër letrare e transformon në një kryevepër edhe më të madhe filmike.
E kjo do të vazhdonte edhe me filmin e fundit të trilogjisë, duke e bërë Lord of the Rings të Peter Jackson njërën shtyllat e kinematografisë moderne. E në këtë trilogji, Two Towers mbizotëron mbi dy tjerat. Nota personale: 5/5

