Në adaptimin artistik të ngjarjes së bazuar në zjarret e vitit 2018, Matthew McConaughey vjen në rolin e Kevin MekKej, një shofer autobusi shkollash, i cili gjen veten në luftë me zjarrin dhe me një klasë fëmijësh në autobus.
Paul Greengrass, i njohur për punën e tij te filmat për Jason Bourne, vjen në rolin e regjisorit dhe skenaristit, dhe marrë parasysh punën që bën në filma deri diku të ngjashëm si United 93 e Captain Phillips, sigurisht që pritjet janë të mëdha për këtë film.
Filmi nuk është zhgënjim, por mendoj se është pak i gjatë.
Në pjesën e parë, kemi ndërtimin e historisë së shoferit. Përqendrohemi te jeta e tij private, më saktë familja dhe krejt telashet me familje. Problemet me profesionin, punën, dhe na del se kemi një burrë që vetë regjisori kërkon të na ofrojë – krejt dynjanë e ka bërllok, dhe në fund, kur kërkohet nëse ka ndonjë autobus të mbetur në atë zonë, ai prapë paraqitet si vullnetar për të marrë fëmijët e për t’i transportuar në një zonë të sigurt.
Përkrah tij, në rolin e mësueses, dhe bashkudhëtares vjen America Ferrera, si Meri.
Harmonia e tyre me karaktere plotësisht të kundërta ndihmon në zhvillimin e ngjarjes. Në fakt, është ndoshta momenti kur njëmend nis filmi, e që është ndoshta 30-40 minuta nga fillimi.
Ngjarja është emocionale, drithëruese, e frikshme, sidomos për shkak të përfshirjes së fëmijëve.
Aspekti teknik është goxha real, përfshirë të gjitha momentet që nga fillimi kur kemi një shofer të humbur nëpër rrugët e Kalifornisë. Pjesa tjetër më “e nxehtë,” është edhe më mirë e realizuar.
E vetmja anë negative është kohëzgjatja, dhe besoj që ka mundur të ishte nja 30 minuta më i shkurtër, sepse ka shumë pjesë e detaje të panevojshme që nuk lidhen me historinë kryesore, ndonëse mund të arsyetohet se ndihmojnë zhvillimin e karakterit të Kevinit.
Prandaj, “The Lost Bus” mbetet film pak mbi mesatare. Nota personale: 3/5

