Në bashkëpunimin e tyre të fundit uestern, Anthony Mann dhe James Stewart futen në një nën-zhanër të këtij lloji të filmash, që e bën “The Man from Laramie,” të veçantë në shumë aspekte, mbi shumë filma, dhe zhanrin, jo medoemos nga cilësia, sa nga vet ideja e filmit.

E ngjarja fillon kur Uilli, një kujdestar vagonësh nga Laramia mbërrin në Koronado, nga Uajoming në territorin e Meksikës së Re. Aty ai sheh mbetjet e një kolone vagonësh dhe fillon të kujdeset për ato mbeturina, por menjëherë fillon të ketë probleme nga vendasit.

I pari në krejt këtë është fermeri i madh vendas, Alek Uagoman me të birin Dejv. Uill Lokhart, paqëllim, duket se ka shkelur në territor të gabuar, ndonëse ashtu nuk duket në plan të parë.

I pafajshëm, ai fillon të gjejë miq në armiqtë e Uagomanëve, sidomos me një pronare lokale, Barbarën. Krejt kjo do të ngacmojë nervat e Alekut, dhe sidomos Dejvit, duke nxitur rivalitetin që në plan të parë duket i çmendur – një bandë vendase kur një të ardhuri të vetëm që nuk ka asgjë pos një pistolete – deri te ndjenjat e xhelozisë.

Ajo çfarë do të ndodhë më pas e do të shkojë e të zgjidhet drejt fundit e bën këtë njërin nga filmat më të veçantë zhanrit uestern, duke tejkaluar dramën për të kaluar në mister e psikologji.

James Stewart është fantastik në rolin e tij goxha kompleks, si asnjëherë më parë me kundërshtarë të shumtë, i mbështetur për muri karakteri i tij, por me një vullnet të pashoq. Edhe pjesa tjetër e ansamblit janë në nivel, dhe në krye të krejt kësaj është regjia e Anthony Mann i cili sjell një fotografi mahnitëse që përshtatet me ngjarjen dhe thelbin që ngërthen në vete.

“The Man from Laramie” nuk është nga filmat e njohur uestern, të zakonshmit, me të cilët jemi mësuar të zhytemi menjëherë në ngjarje dhe në të shtëna. Kërkon kohë dhe dedikimin për të zbuluar gjitha të fshehtat, dhe kjo ofron një shërbim të denjë në fund. Nota personale: 5/5