Askush nuk ka pasur nevojë për këtë film, as edhe Disney, të cilët duke provuar të inkasojnë milionat duket se kanë përfunduar duke humbur milionat.
Sezoni i parë ka qenë fantastik i “The Mandalorian,” e edhe tjerët kanë vazhduar të jenë në nivel. Edhe ky film ka mundur të jetë një sezon, ose së paku gjysmë sezoni, apo nja dy episode. Kështu e kemi një episod që zgjatet për të përfunduar në film, edhe atë film mezi mesatar.
Po të ishte episod, do të ishte episod goxha i mirë, por kështu si film është humbje kohe.
Por, këtu jeni sepse keni parë serinë ose jeni fans i Star Wars, përndryshe ky film nuk është për juve.
Ngjarja ndodh me Mandon dhe Grokun në një mision për të gjetur dhe shpëtuar dikë nga klani i Hutave. Ky është një mision i zakonshëm për Mandon dhe Grokun, që provon të bëhet me special me detaje dhe vështirësitë që u dalin në rrugë.
Aktrimi është si gjithmonë, Groku është loçkë, Jeremy Allen White, Sigourney Weaver, e Martin Scorsese vijnë në rolet dytësore, shumica nga ta më shumë si zëra, e Pedro Pascal është në element.
Sigurisht që filmin do ta shohin por s’do të kënaqen fansat e serisë. Të tjerët sa më larg, aq më mirë, ndonëse Groku mund t’ju shtyjë drejt serisë, e që do të ishte njëfarë përfitimi. Nota personale: 2/5

