Po shikuam karrierën e Jim Carrey me “The Mask” si filmin e tij të parë, dhe “Kidding” si serinë e tij të fundit, atëherë do të shohim një ndërlidhje që flet më shumë për filozofinë e tij si njeri, me mendime nga më “të veçantat” që do të mund t’i dëgjonim nëpër intervista, secila me një nuancë komedie dhe mungese serioziteti në vete, por domethënëse dhe e thellë sa vetëm entuziastët e psikologjisë mund ta kuptonin.
Njeriut i duhet një maskë për të çliruar veten, dhe këtë e shohim më së miri me profilet e rreme në rrjetet sociale, të cilat janë si kompensim për ato që individë të caktuar nuk mund të thonë haptazi, apo edhe më keq, paguhen për një propagandë të caktuar.
Stenlli është i tillë – një punëtor banke i ngujuar, i abuzuar verbalisht nga mbikëqyrësi i tij dhe rrethina, dhe me vetëm një mik të vetëm dhe qenin e tij.
Jeta e Stenllit do të ndryshonte kur ai do të takonte Tinën, e cila është punëtore në një klub nate që i dashuri i saj planifikon ta marr mbi vete.
Kjo është tema, por ajo që e bën filmin madhështor është aktrimi i Jim Carrey i cili kur gjen maskën e hedhur në bërllog, zbulon pjesën tjetër të tij, që është shumë më ekstroverte, komike, guximtare, dhe kreative.
Me e pa maskë, Jim Carrey është i papërsëritshëm, dhe nuk ka fytyrë a aktor tjetër që do të mund të përshtatej më mirë me këtë rol. Ndoshta vetëm seria vizatimore që ia tejkalon këtë filmi.
Një anë tjetër e filmit është teknologjia e përdorur në realizimin e shumë skenave, që për atë kohë ishte ndoshta diçka më e avancuar se niveli teknik që kishte arritur kinematografia deri në atë periudhë.
E vërtetë që ka filma që kanë përzier vizatimoren me filmin me aktrim real, por aty vërehet përzierja e këtyre dy botëve. Këtu ky kufi rrënohet, dhe mund të shihet vetëm qëllimisht, kur Maska performon njërën prej skenave e karaktereve të shumta të tija që shpesh mund të duken si ode e skenave e titujve më të njohur të historisë, dhe jo vetëm.
Dhe nuk ishte vetëm Jim Carrey që do të merrte famën pas këtij filmi. Përkrah tij, në rolin e Tinës, do të vinte Cameron Diaz, karriera e së cilës do të merrte flakë më pas.
“The Mask” është nostalgji e përkryer për fëmijët që kanë shijuar kinematografinë në pjesën e dytë të 90tave, ndoshta edhe duke shikuar filma që nuk u lejoheshin. Njëri ndër ta del të jetë komedia më e mirë e asaj dekade, ose më e veçanta të them. Nota personale: 5/5

