Diku në Afrikë, për të mësuar rrjetën e milingonave a buburrecëve, kanë derdhur tonelata beton a çimento në vrima për të marrë mostrën se çfarë gjendet nën ne.
Nga ato që kanë parë, janë mahnitur me rendin dhe përsosmërinë e “qytetit” të tyre që ka gjithçka që u duhet, ndrequr me një inteligjencë që mahnit këtë tonën. Ndoshta edhe sfidon Gobekli Tepen.
Për të kuptuar një botë më të mirë, nisur nga vetja, ideja më e mirë është ta shohim nga jashtë, të dalim nga matriksi!
Kjo i ofrohet Neos i cili pos një punëtori të zellshëm në një kompani softuerëve, ka edhe jetën tjetër jashtë punës e cila e fut atë në mes të dy palëve që luftojnë për të vërtetën.
E kaltra, apo e kuqja, mund të duken si ngjyra për një festë zbulimi gjinie, por nëse hallakatni pak nëpër simbolet dhe nënkuptimin e tyre në ndonjërën nga veprat e Jungut, i afroheni ndoshta daljes nga matriksi.
Por, në periudhën e internetit, dalje nga matriksi shumë veta e shohin idenë kur thonë se betoni e çimentoja janë e njëjta gjë, por ndahen për të na mashtruar se ka dallim. Të vetëquajturit “dijetarë” më shumë janë skeptik të cilët dyshojnë gjithçka, dhe në fund më shumë i ngjajnë dikujt që ka devijuar rrugën dhe është ngujuar në një qoshe të matriksit, se sa që ka dalë nga ai.
Shumica e shohin The Matrix për atë që është – një super-realizim vizual dhe teknik që për kohën e shfaqjes dhe çerek-shekullit pas mbetet revolucionar. Por, thellë në vete, mund ta lidhim me çdo pjesë të filozofisë, pa devijuar në konspiracione.
Është një film monumental që vjen si finale e një dekade, ndoshta të fundit, ku arti ishte në qendër të një filmi. Nota personale: 5/5

