Filmi i katërt në serinë origjinale të Karate Kid është shumë më i mirë se filmi i fundit, i treti, për disa arsye, ndonëse është kritikuar shumë nga të gjithë.

Së pari, filmi largon Danielin, tashmë afër të tridhjetave, dhe në vend që të përqendrohet në të njëjtin ambient, me të njëjtit antagonist, ngjarja zhvendoset në anën tjetër të vendit, në Boston.

Aty, Mister Mijagi ka ardhur në manifestimin e veteranëve të luftës, dhe takon të venë e një komandanti, si dhe mbesën e tyre, Xhulinë, e cila është duke u përballur me problemet e saja si çdo adoleshent 17 vjeçare.

Për ta mësuar si të kontrollojë inatin, rebelizmin, dhe të mbrojë veten, Mister Mijagi vendos ta merr atë si nxënëse, dhe pos mësimeve që i kemi mësuar më herët ne si fansa të kësaj serie, kësaj radhe ai do të shkojë një hap më tutje.

Mister Mijagi dhe Xhuli do të vizitojnë një manastir budist, ku do të mësojnë më shumë për jetën dhe filozofinë e saj se sa për karatenë ndoshta, por kjo pjesë, me manastir dhe gjithçka rreth saj është pjesa më e mirë e filmit.

Ka fotografi të bukur, shërben si një transformim fenomenal i karakterit kryesor.

E pjesa tjetër, nuk është aq e mirë pasi nuk ka antagonist të fuqishëm, nuk ka motiv për një finale të madhe, dhe ndihet si një histori e mbetur bosh, me të vetmin qëllim një karakter vajzë në rolin kryesor, dhe manastirin.

Të dyja këto mua më kanë pëlqyer, sidomos aktrimi i Hillary Swank para se të merrte famën që do ta ngrite në piedestal, e është e pamundur të mos e duash Pat Moritan si Mister Mijagi.

Ndryshimi i regjisorit dhe skenaristit nga tre filmat e parë ka pasur efektin e tij, dhe kjo shihet qartë përgjatë gjithë filmit. Nota personale: 3/5