Është pak e çuditshme të shohësh Vin Dieselin larg kerreve edhe armëve. Mirëpo, ai kryen një punë goxha të mirë këtu si dado e një familjeje, të cilën e sheh si mënyrë për të shpaguar për dështimin e tij në mision shpëtimi.
Me të ardhur në familje, për të mbrojtur sekretin e tyre që as ata nuk e dinë, Shejni mbetet vetë për t’u kujdesur për të pestë fëmijët që porsa kanë humbur babanë, derisa e veja e shkencëtarit provon të merret me punët tjera ditore.
Fëmijë të rebeluar, të padëgjueshëm, nga secila moshë, nga pelenat deri te tinejxherët, Shejni duhet të përdorë aftësitë e tija prej një ushtari, por në jetë reale dhe pa armë të rënda.
Kjo e bën filmin komik deri në një masë, ndonëse kjo nuk vërehet në fytyrën e Vin Dieselit, sikur të ketë botox që s’mund të buzëqeshë. Megjithatë, është i shkëlqyeshëm në aksion, që ndonëse film familjar, nuk mungon, veçse tash vjen në një masë dhe ambient pak më ndryshe se zakonisht ku është Dieseli.
Lauren Graham, Brittany Snow, Tate Donovan, e emra të tjerë më pak të njohur vijnë në rolet kryesore, ndonëse tema e filmit mbetet Vin Diesel si dado. Ky fakt është komik deri në një masë, film i mirë për argëtim familjar. Nota personale: 3/5

