Filmat e Wes Andersonit gjithmonë janë ndryshe.
Disa janë më afër të filmave të vizatuar, disa janë më afër utopisë, e disa janë në realitet.
“The Phoenician Scheme” është më afër filmit të vizatuar, kryesisht falë skenografisë ku prapaskenat gjithmonë ngjajnë në diçka të vizatuar. Hiç më larg nuk mbetet as aktrimi dhe lëvizjet e karaktereve që të kujtojnë “La linea”-n, veçse në këtë rast janë më simetrike.
Benicio del Toro përsëri vjen në rol kryesor, kësaj radhe si diler armësh i njohur shkurtimisht si “za-za.” Ai mezi që i shpëton atentateve, dhe kjo ndodh qysh në fillim të filmit.
Derisa krejt provojnë të ndalojnë këtë burrë, dhe i brengosur për të ardhmen, ai gjen të bijën e tij që është murgeshë, motrën Lizël. Ajo do të mësojë biznesin në rrugëtimin e tij të radhës, ku vjen edhe një mësues i krejt fëmijëve tjerë të zazës, Bjorni.
Mia Threapleton e Michael Cera luajnë këto role, me Riz Ahmed, Richard Ayoade, Benedict Cumberbatch, Bryan Cranston, e Tom Hanks me role minimale, pa harruar edhe “muzën” e Wesit, Scarlett Johansson.
Filmi zgjat pak mbi 100 minuta, por duket sa kompleks aq edhe i kotë në temë, por vizualisht do t’u pëlqejë fansave të tij.
Nuk di sa gjatë do të mund të “kënaqemi” me kësisoj filma, por disi sikur po bëhen bajat. Megjithatë, do të vazhdojmë t’i shohim. Edhe nëse mezi janë mesatarë. Nota personale: 3/5

