The Pianist (2002)

“Njeri osht ma i fortë se guri”

Në rrëfimet e gjyshërve e prindërve tanë për hjekat e luftërave, përfshirë edhe këtë të fundit, gjithmonë marrim një version të redaktuar të rrëfimeve, sikur të jetë i përshtatur për neve, pa detajet më mizore, dhe që shpesh përmbyllet me fjalinë e mësipërme.

Sikur guri, i cili reziston stinët me vite, por me një goditje më të thjeshtë mund të ndahet e copëtohet, dhe vetëm atëherë mund të shohim shtresat që ka krijuar me çdo vit të kaluar, njashtu mund të vërejmë edhe historitë e një njeriu që shtyp traumat në vete deri kur të “shpërthejë” një ditë.

Për të folur për këto, duhet një oratori e mirë, e mbi të gjitha një pajtim me vetveten, diçka që ka bërë Wladyslaw Szpilman në biografinë e tij të vitit 1946 mbi të cilën bazohet ky film.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Szpilman është një pianist i cili humb kontaktin me familjen derisa provon të mbijetojë në Varshavën e okupuar.

Ndonëse film për luftën, “The Pianist” nuk ka shumë skena luftimesh, shpërthime, vrasje, e ngjarje të ngjashme makabre.

Është një pushtim shkallë më shkallë, hap pas hapi, që ndodh kur armiku fillon të vijë në vendin tënd, gjithmonë me atë “ne vijmë për të mirën tuaj, për t’ju çliruar” nga të këqijtë, dhe pak nga pak, ti bëhesh i keqi, duke humbur gjithçka.

Pianisti është si guri.

Shtresë pas shtrese, ngjarje pas ngjarje, ai humb gjithçka, përfshirë edhe veten. E fatkeqësisht, për të treguar pjesën më të mirë të këtij filmi do të duhej të prishja fundin, të bëja spoiler, e ky do të ishte krim nga ana ime.

Finalja, dhe ngjarja që shtrin te ajo ka një filozofi shumë të thellë për luftën dhe armikun në vete, një vërtetim të një fakti që zor se mund ta pranojë gjithsecili, aq më pak pa shëruar plagët shpirtërore të luftës. Jo para se të thyhet guri!

Bazuar në ngjarje të vërtetë, dhe larg vijave të frontit, “The Pianist” mbetet ndër filmat më unik për luftën dhe njeriun, me aktrim fenomenal të Adrien Brodyt. Nota personale: 5/5