The Red Shoes (1948)

The Red Shoes (1948)

Duhen muaj e shpesh edhe vite nga koncepti deri te premiera e një filmi i cili mezi zgjat 2 orë.

Mbrapa një vepre arti, a çfarëdo pune tjetër qoftë, nga ndreqja e lavatriçes deri te përgatitja e një ushqimi në restorant, janë vite mësimesh e gabimesh që ende vazhdojnë pasi gjithçka është një proces i pafund i përsosjes varësisht nga rrethanat.

Dhe në fund, vjen ndonjë ahmak edhe të poshtëron ty e punën tënde, me gjithë ato vite mund e përvojë, dhe krejt sakrificat që ke bërë për të arritur në këtë pozitë.

Ngjashëm edhe Viktoria, e cila i thotë Boris Lermontovit se vallëzimi si balerinë është gjithçka që dëshiron në jetë, dikur duhet të zgjedh në mes të dashurisë dhe karrierës, në një film që mund t’ju ngjasojë me “Black Swan” apo edhe me “Whiplash” deri në një masë.

Është një histori goxha e rëndë e përsosjes së një arti, krejt punës dhe kontributit që kërkon një vepër e tillë artistike, në këtë rast baleti, dhe qasja që shpesh ne quajmë “komuniste” ku duhet shumë punë pavarësisht talentit që ke, për të arritur te finalja e denjë.

Më e mira e këtij filmi, të bazuar në një përrallë të Hans Christian Andersenit është fotografia, ngjyrat që të “marrin sytë” duke të përthithur në një vepër arti që edhe nëse nuk e doni baletin, do t’ju zgjojë kërshërinë që të mësoni më shumë, e mbi të gjitha të vlerësoni punën e atyre që merren me këtë art.

Emrat janë pothuajse të panjohur për shumicën, kryesisht nga fakti që është më shumë një shfaqje baleti me një prapaskenë mbi këtë botë se sa një film artistik dedikuar baletit. Kjo e bën të veçantë “The Red Shoes,” që ende mbetet njëri ndër filmat më “të rëndë emocionalisht” që kam parë, e që nuk përfshin skena bizare. Nota personale: 4/5