The Shootist (1976)

The Shootist (1976)

Si filmi i fundit në karrierën e John Wayne, “The Shootist” jep një finale të përkryer për legjendën e filmave uestern.

Ashtu si duhet, ai vjen në një karakter që përshtatet me krejt ato që ka bërë nëpër filma uestern – John Wayne është JB Buks, një vrasës legjendar, tash në moshë, i cili vjen në Karson Siti të Nevadës dhe merr një dhomë në një bujtinë. Për të fshehur identitetin e tij famëkeq, ai përdor një nofkë tjetër, derisa qëllimi i këtij udhëtimi ishte vizita te mjeku lokal, Hostetler, i cili i konfirmon atë që nuk donte dëgjonte përsëri.

Buksit i kanë mbetur edhe pak ditë për të jetuar, dhe këto dëshiron t’i kalojë në paqe, por për të arritur këtë, ai duhet të fshehë identitetin i cili duket më i famshëm se që ai mëtonte.

Në krejt këtë mesele, i duhet ndihma e pronares së bujtinës, Bond Roxhers, dhe sidomos birit të saj, Gillomit, një fans i hatashëm i Buksit dhe karrierës së tij.

Për këtë përshëndetje nga ky profesion, John Wayne ka mbledhur emrat e tij më të dashur në këtë zeje – James Stewart luan rolin e mjekut, ndonëse mund të duket si rol me shumë pak hapësirë, e zonja e bujtinës është e mahnitshmja Lauren Bacall.

Përderisa për aktrimin këtyre treve jemi të njohur që më parë, ai që befason për të mirë në këtë film është Ron Howard në rolin e të riut, djalit të zonjës, Gillomit, i cili ka goxha rol në krejt shtjellimin e historisë.

Historia e bazuar në novelën me të njëjtin emër të botuar vetëm një vit më parë nga Glendon Swarthout adaptohet për film nga i biri i novelistit, Miles Hood, e regjinë e bën Don Siegel, me një përpikëri të pashoqe.

Filmi mund të duket se është më shumë dramë se uestern në fillim, por gjërat ndryshojnë, ndonëse jo në nivelin që fillon, e filmi nis me një montazh të filmave më të njohur të John Wayne, të cilët e sjellin atë në karakterin e këtij filmi.

Është si një biografi për John Wayne dhe jetën e tij në film, përfshirë edhe jashtë filmit. Prandaj kemi njërin nga aktrimet më emocionale, më të sinqerta të Wayne që mund ta kujtojmë.

Disi kur e sheh filmin, e vëren që është njëfarë fundi, sa për nga historia, edhe më shumë për nga atmosfera.

Jo medoemos ky duhet të jetë filmi i tij i fundit që duhet ta shohim, kur janë mbi 100 sosh, secili më i mirë se tjetri. Por, ky është ajo finalja që rrumbullakon një karrierë të pasur, një thesar kinematografik. Nota personale: 5/5