Zgjoheni në mëngjes, dhe gjëja e parë që dëgjoni janë rrapëllimat e kojshive, boritë e veturave, dhe me të kryer këtë proces të nisjes së “mbarë” të ditës, e gjeni veten të ngujuar në trafik ku çdonjëri provon të shkojë sa më parë në përditshmërinë e kotë të ditës, e nuk ju kujtohet hera e fundit që gjëja e vetme që keni dëgjuar të ketë qenë një cicërimë zogjsh.
Janë këto cicërima që i japin jetë kodrave të gjelbra, plot jetë, në Alpet e Austrisë ku Maria fillon t’u këndojë bukurive që e rrethojnë gjersa është duke studiuar për t’u bërë motër murgeshë.
Është kjo sjellje e saj e “çoroditur” që shtynë motrën drejtoreshë ta dërgojë atë si kujdestare për fëmijët e Kapitenit Georg von Trap, i cili të shtatë fëmijët e tij i rrit me një disiplinë ushtarake, përkundër së cilës fëmijët ia kanë dalë të largojnë disa kujdestare para Marisë.
I bazuar në një libër, e më pas në një shfaqje teatrali, “The Sound of Music,” është njëri nga filmat legjendar në historinë e viteve të arta të Hollivudit, i shpërblyer si filmi më i mirë i vitit, dhe ndër filmat muzikal më të mirë ndonjëherë.
Aktrimi i Julie Andrews është mahnitës duke sjell një karakter të rritur me shpirt fëmije që e bën të duket si fëmija i tetë i familjes. Në rolin e kapitenit vjen Christopher Plummer, i cili sjell në jetë për mrekulli karakterin e tij nëpër të gjitha fazat që kalon përgjatë kati tri orëve film.
Është film muzikal, me disa nga këngët më të mira të dëgjuara në film ndonjëherë, të cilat kur kombinohen me kinematografinë aq të zjarrtë të kujton panoramat e mëngjesit në kanalet gjermane e austriake të viteve të satelitëve. Nota personale: 5/5

