The Thin Red Line (1998)

The Thin Red Line (1998)

Terrence Malick të shtyn me dashtë filmin!

Ndonëse më shkojnë nerva filmat e gjatë, që nuk kanë ndonjë temë të caktuar, dialogë, apo shtrirje lineare të rrëfimit, “The Thin Red Line,” të cilit i mungojnë që të gjitha këto në masë adekuate, është kënaqësi artistike!

Për gati 3 orë, filmi tregon betejën në ishullin Guadalkanal, gjatë Luftës së Dytë Botërore ku forcat aleate luftojnë ato japoneze. Gjithçka fillon me zbarkimin e forcave në ishull kur gjejnë të ikurin nga ushtria, ushtarin Uit, i cili duhet të paguajë dënimin e çdo dezertuesi.

Nga intervista e tij e tutje, kemi nga një lundrim nëpër historitë e filozofitë personale të ushtarëve, të cilët vijnë si njerëz, si bota në vete, e jo vetëm ushtarë që janë numër drejt arritjes së cakut.

Lufta në “The Thin Red Line,” vjen e zhveshur nga pelerina e zakonshme që hasim në filmat për luftën. Malick përqendrohet në detaje, në ndërtim të ngjarjeve, të cilat edhe kur vijnë janë të realizuara në përpikëri që mund ta bëjë vetëm një maniakë i detajeve dhe fotografisë.

Fotografia gjithmonë ka qenë ana më e fuqishme në kreativitetin e Malick, i cili kap të gjitha momentet që mund të ofrojë dita në një ishull, me kontrast përrallor që është festë për sytë.

Ngjyrat janë aq të mira, me përputhje fenomenale sa të përthithin brenda filmit me një gjendje “transi” që të bën të harrosh se krejt kjo po zhvillohet brenda një beteje, deri kur të vijnë karakteret kryesore që kërkojnë një paqe shpirtërore në krejt këtë katrahurë që po ngjan përreth.

Jim Caviezel, Sean Penn, Adrien Brody, George Clooney, John Cusack, Woody Harrelson, John Travola, John C. Reilly, Nick Nolte, e emra tjerë përbëjnë një ansambël superior të aktorëve në frontin e luftës.

E nuk mund të jetë film me bukurinë e mjeshtërisë së Terrence Malick pa pasur një kolonë zanore si një puhi vere, dhe krejt kjo falë Hans Zimmer.

Ajo që nuk më ka pëlqyer te filmat e Malick janë shkëputjet nga ngjarja kryesore për të shkuar në një botë paralele të karaktereve, pavarësisht sa ndërlidhet kjo me historinë. Edhe te ky film, ndonëse në masë më të vogël, kemi këtë qasje.

“The Thin Red Line” mbetet nga kryeveprat e Terrence Malick, njëri ndër filmat më të mirë për luftën, i përkryer në çdo aspekt që mund të jetë një film si vepër arti. Nota personale: 5/5