Kur mjeku i drejtohet Sesilisë së shtrirë në shtrat në spital pasi tenton t’i marr vetes jetën me “ti nuk je mjaft e madhe për të kuptuar sa zor bëhet jeta,” ajo i përgjigjet me, “ashiqare, kurrë nuk ke qenë vajzë 13 vjeçe.”

Sesilia, më e reja prej pesë motrave, me më të madhe 17 vjeçe, janë të bijat e mësuesit të matematikës – Ronaldit, dhe nënës së tyre shtëpiake – Sarës. Teresa, Meri, Boni, Llaks, dhe Sesilia, jetojnë një jetë “të mbrojtur,” të izoluara dhe me mbikëqyrje maksimale nga prindërit e tyre që provojnë t’u përmbahen rregullave dhe traditave të ashpra familjare.

Asgjë nuk të sfidon si një fëmijë në adoleshencë, të cilët provojnë të eksplorojnë gjithçka, të dinë gjithçka, nga vetja e tyre deri te jeta pas vdekjes. E tash kur kjo shumëzohet me pesë…

Filmi debutues i Sofia Coppola si regjisore, bazuar në novelën me të njëjtin emër, sjell një portret sa të zymtë aq edhe të rrezikshëm të kujdesit të prindërve duke injoruar shëndetin dhe zhvillimin mendor të pesë vajzave të tyre të cilat kalojnë faza të ndryshme të adoleshencës.

Trajton një temë të rëndë, siç mund të aludohet nga titulli i filmit, dhe gjendjen shpirtërore e sociale që kalon një familje kur më e vogla e tyre tenton më të keqen, dhe trajtimin me procedurën e rikuperimit.

Është pak i “përzier,” i humbur në momente, por përfundimisht del të jetë një klasik që trajton një temë të rëndë në mënyrën ndoshta më të lehtë, por prekë edhe reagimin e shoqërisë ndaj kësaj vetie. Nota personale: 4/5