Në plan të parë dukej interesante tema.

Në fillim të viteve 1980ta, Imon Suini, një gangster irlandez i njohur si udhëheqës i “westies” ka bërë marrëveshje me familjen e njohur kriminale italiane, Gambinot, që të mund të marrin një pjesë nga biznesi i ndërtimtarisë.

“Çiraku” i tij, Xhimi, i cili udhëheq skuadrën bashkë me Mikin, një mik nga lufta e Vietnamit, paqëllimshëm i shkaktojnë probleme Imonit, dhe rrezikojnë krejt marrëveshjen që ka bërë ai me italianët.

Tash, do të mbetet të shihet se ku qëndron besnikëria e këtyre emrave, e ndërkohë në krejt këtë mesele përzihet edhe një polic, Gleni, i cili ka lidhje me nëntokën dhe FBI-në, nga ku vjen një agjente, Bërdi.

Historia nxitet edhe nga prania e të dashurës së Xhimit, Brixhitës, gjithashtu irlandeze, por e cila ka plane tjera, më patriotike, duke u ndërlidhur me luftën për bashkimin e Irlandës në shtëpi.

J.K. Simmons është Imoni, Hamish Allan-Headley është Xhon Goti, Tom Brittney vjen si Xhimi, e Sarah Bolger si Brixhita.

Seria është e mirë, e re, pasi nuk është një temë që trajtohet më parë në kaq detaje, sidomos për irlandezët.

Fotografia është e bukur, ndonëse ka mundur të jetë më e mirë në aspektin teknik, pasi duket se teprohet në disa raste, dhe “errëson” më shumë se që duhet ngjarjen.

E zhvillimi i ngjarjes është në nivel, ndonëse nganjëherë duket se përzihen, disa ngjarje mbesin me të meta, kalohet nga një temë në tjetrën më shpejt se që duhet.

Më thjesht, skenari është i dobët.

Nuk është e sigurt nëse do të ketë sezon të dytë, por do ta shikoja, së paku për të përmbyllur historitë e mbetura në gjysmë si duhet. Por, jo me këtë nivel të skenarit. Nota personale: 3/5