Janë disa aktorë që vetë fytyrën e kanë të paracaktuar për një zhanër. Kështu është Chris Hemsworth për komedi, edhe kjo besoj se e bën karakterin e Thorit prej më të veçantëve në MCU, komik si asnjë tjetër.
Tash, futeni këtë karakter në depresionin e moshës së mesme, edhe kemi një Thor që në minutat e parë të filmit veçse të bën të ndjekësh historinë e tij të rikuperimit që fillon në mënyrën më komike të mundshme.
Kjo ndihmohet edhe nga dhëndri i Kosovës, Taika Waititi, i cili është një farë “komiku” në vete, si para, edhe më mirë mbrapa kamerës.
Ngjarja në film fillon goxha larg komedisë me Gorrin (Christian Bale) në rolin kryesor, e pastaj kalojmë te Thor, të cilin në këtë film e shoqërojnë Gardianët e Galaksisë.
Por, arsyeja e dytë për të shikuar këtë film është Dr. Xhejn Foster, e cila rikthehet me një mision special në ndihmë Thorit, e që e bën atë pjesë të skuadrës, një transformim i përkryer për të!
Aktrimi i Chris Hemsworth e Natalie Portman është i përkryer për rolet që kanë, e mbrapa nuk mbeten as pjesa tjetër e ansamblit, nga Tessa Thompson te Taika Waititi, e kuptohet, i pazëvendësueshmi Christian Bale.
Është një film më “i lehtë” për Thorin, dhe kjo e bën më të preferuarin për mua, ndonëse do ta preferoja pa Gardianët. Nota personale: 4/5

