Është një kufi i hollë ndërmjet patriotizmit dhe shovinizmit, dhe shpesh duke provuat të shiten sa më patriotë njerëzit bëhen shovinist.
Gjersa shovinisti është dikush që beson se për arsye të paracaktuara është mbi tjerët që janë ndryshe nga ai, fashisti është edhe më i keq. Pos që mendon se është më i miri në botë pa bërë asgjë për t’u veçuar, ai tenton të nënshtrojë të tjerët që i përkasin një grupi tjetër jo veç ideologjik, por edhe me tipare të paracaktuara në jetë.
Në Alabamën e viteve 1930ta, një person i një race akuzohet se ka dhunuar një grua të një race tjetër. Pasi që raca e gruas së dhunuar është dominuese në vend, asnjëri nuk dyshon në pafajësinë e të akuzuarit dhe duan ta dënojnë pa gjyq.
Atëkus Finç mendon ndryshe nga pjesëtarët e tjerë të racës së tij. Ashtu i ka mësuar edhe fëmijët e tij, Xhemin dhe Skuten, të cilët nuk paragjykojnë njerëzit në bazë të racës. Për më tepër, Atëkus është një avokat që gjithmonë ka mbrojtur të nënshtruarit, të dobëtit, të pambrojturit, dhe si rrjedhojë jeton një jetë mesatare, por të virtytshme.
Për të vazhduar parimet e tija, Atëkus duhet të rrezikojë gjithçka, edhe veten e familjen e tij, në mbrojtje të Tomit, i cili akuzohet për përdhunimin e një vajze të bardhë.
Një histori e shpërblyer me çmime të shumta si vepër letrare, e transformuar në film me po aq madhështi, “To Kill a Mockingbird” mbetet një film me shkallë të lartë morali kundrejt një shoqërie paragjykuese, që mund të vendoset edhe në ambiente me paragjykime tjera, përfshirë edhe neve.
Është aktrimi i Gregory Peck që e bën këtë film të shihet si një ikonë e kinematografisë amerikane, i cili nga një baba i urtë e shembullor transformohet në një avokat parimor e trim kur është në nevoja, gjithmonë në mbrojte të së drejtës. Nota personale: 4/5
