Tosun Pasa (1976)

Tosun Pasa (1976)

Në Egjiptin e pushtuar nga Otomanët, në shek. XIX, seferovitët dhe telovitët grinden për një copë toke e njohur si Lugina e Gjelbër.

Për të arritur më lehtë te kjo pronë, dy familjet vendosin që të martojnë të bijën e Daverit, administratorit të Aleksandrisë.

Kur plani i telovitëve dështon për shkak se kryefamiljari humb mendjen, kreu i ri, Lytfyu, vendos që për t’u martuar më lehtë me të bijën e Daverit, të thirr mysafir Tosun pashën, fjalën e të cilit as Daveri e askush s’mund ta kthejë mbrapa. Veçse, në vend të Tosunit, Lytfyu vendos shërbëtorin e tyre, Shabanin, të cilin nuk e njeh askush.

Ngjarja në film zhvillohet një shekull më parë, por në fakt është një “adaptim i fshehtë” i ngjarjeve në Turqinë e trazuar të viteve 1970ta pas puçit ushtarak e situatës jashtë kontrollit që çdo mëngjes zgjohej me dhjetëra të vrarë rrugëve të Stambollit.

Dhe mbi të gjitha, është një komedi, ndër më të mirat me Kemal Sunal në rolin kryesor, i shoqëruar nga Shener Shen e Adile Nashit, ndër emrat tjerë të njohur të kinematografisë turke.

Ndonëse kemi qeshur me Shabanin dhe karakteret tjera të Kemal Sunal, nëse i shohim pak më thellë, dhe jemi të njohur me historinë e Turqisë, atëherë kemi një dëshmi që arti në kohë të errëta është një formë e rezistencës ndaj shoqërisë injorante e ndaj pushteti vrasës!

Në sipërfaqe, Tosun Pasa ka disa skena shumë komike me Shabanin që ndonëse nuk e ka idenë e pashës, merr respektin e të gjithëve për shkak të uniformës, e deri te “face-off” i tipit të “Pitch Perfect,” i grave të dy familjeve në hamam, ku shkojnë të ushqejnë e t’i këndojnë nuses.

Klasik turk që të gjithë e dimë si komedi, por në thellësi është një vepër e thellë e artit të rezistencës. Nota personale: 5/5