Nëse ka një film që shpërfaqë më së miri gjendjen e sotme të njerëzimit duhet të jetë filmi i Ruben Ostlund, që me plot merita ka fituar Palmën e Artë në Kanë.

Nën regji dhe skenar të filmbërësit të famshëm suedez, Trekëndëshi i Pikëllimit në mënyrë goxha të mençur me një realizim perfekt thumbon shtresat e ndryshme të njerëzimit. Është një thumbim që na kënaqë neve skeptikëve dhe rebelëve ndaj gjithçka që është në plan të parë sot e që nuk duhet të jetë as në planin Z.

Një çift influencerësh – diçka të ngjashme si disa yje të Instagramit që i kemi ne, e që shndrisin vetëm te njerëzit analfabetë sa i përket argëtimit – fitojnë një lundrim me më të pasurit, me qëllimin që të promovojnë këto shërbime te gjenerata e tyre e TikTokut.

Në atë lundrim takojmë nga një përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore me të gjitha ‘problemet moderne’ të cilat duhet të zgjidhen vetvetiu me një udhëtim disa javor në oqean.

Gjithçka duket ‘normale’ për super të pasurit, të cilët edhe duan të dëshmojnë praninë e tyre në anije te Karli e Jaja, të cilët janë të vetmit që nuk e kanë vendin këtu. Është një ‘rrotullim’ që do të pasojë me ndërrime e rrotullime tjera nga çasti kur skenën fillon ta zotërojë karakteri i Woody Harrelson, aktrimi i të cilit është fantastik për rolin që ka – kapiten i anijes.

Është kjo pjesa e fundit, që ashiqare s’mund ta përmend për shkak të spoilerave, që i jep kuptimin filmit, dhe mua kënaqësinë që moti kohë nuk e kam ndier në filma artistik.

Është një përvojë krejt ndryshe nga ata filmat për ‘ideale’ koti të Hollywoodit, të cilët janë cak indirekt i thumbimit në këtë kryevepër të Ruben Ostlund. Është njëri nga filmat më të mirë të vitit 2022. Nota personale: 5/5