Kur e kanë të vështirë t’i futë në rol për shkak të historisë së shthurur që ka kaluar secili nga aktorët kryesorë të cilët duan të ringjallin karrierën me filmin “Tropic Thunder,” producentët vendosin t’i lënë ata në mes të xhunglës, ashtu që aktrimi i tyre të jetë sa më real.
Pra është film në film!
Në bashkërrjedhjen e lumenjve Mekong dhe Ruak, në zonën ku një bandë merret me kultivimin e narkotikëve, aty do të parashutohen aktorët me regjisorin, i cili do të ndjekë nga afër aksionin, përkundër kamerave të instaluara nëpër vende “sekrete” që do të kapnin sekuencat e filmit.
“Tropic Thunder” është ndër filmat më të çmendur të satirës për filmat e luftës, kryesisht falë skenarit të çorientuar dhe aktrimit që bëjnë i gjithë ansambli, nga Ben Stiller, deri te Tom Cruise i cili zotëron për mrekulli edhe transformimin fizik.
Jack Black, Nick Nolte, Steve Coogan, Jay Baruchel, Matthew McConaughey vijnë në rolet tjera, si dhe Robert Downey Jr., i cili ka një rol paksa kontrovers, por të cilin e portretizon në mënyrë të përkryer! Aktrimi mund të duket si hajgare, qysh edhe është krejt filmi, dhe kjo e bën të këndshëm, fund e krye.
Tropic Thunder është një film çlodhës për luftën, në momente paksa ekstrem, por gjithmonë në frymën e satirës. Nota personale: 4/5

