Under Siege (1992)

Under Siege (1992)

Ndoshta filmi më i mirë i Steven Seagal, ndonëse “The Patriot” më pëlqen më shumë, është i vendosur në një luftanije amerikane, USS Missouri, e cila do të pensionohet.

Për këtë festë, shefi i anijes, Kejsi Ribak (Seagal) po përgatit ushqimet për të festuar ditëlindjen e kapitenit të anijes. Kundër kësaj është komandanti Krill (Gary Busey) i cili me provokimet e tija shtyn Kejsin të shpërthejë dhe të përfundoj i mbyllur në frigorifer.

Pas kësaj, Krilli vazhdon me misionin e tij – pret trupën argëtuese për festën e ditëlindjes, e përbërë nga këngëtarë e valltare, por që në fakt janë ata që do të rrëmbejnë anijen.

Në krye të tyre është Uilliami, karakter i portretizuar shkëlqyeshëm nga Tommy Lee Jones, plani i së cilit është t’i shesë tomahawkat te vendet armike për të ndezur Luftën e Tretë Botërore.

Këtë plan mund ta prishë vetëm Kejsi, por i cili është i mbyllur në frigorifer me roje te dera.

A do t’ia dalë, si do të provojë të parandalojë këtë plan, e mësojmë për 100 minuta film, që është i mbushur me aksion, armë, e fytyra të çmendura që shfaqen nga Busey e edhe Jones, që shkëlqejnë në rolet e tyre.

Por, të gjithë mbesin në hijen e Steven Seagal, i cili sjell njërën nga performancat e tija më të mira në film ndonjëherë. E vetmja gjë negative mund të jetë ambienti dhe koha – anije dhe natë. Nota personale: 4/5