“Pse gratë në të 30tat janë ma të mirat” është shkrimi im më i lexuar në Medium, dhe sikur për ta dëshmuar këtë është bërë një film nja 20 vite më herët.

Sigurisht që këto dyja nuk kanë lidhje ekskluzive, por do të shkonin mirë me njëra-tjetrën.

Françeska është një shkrimtare jeta e përkryer e të cilës merr fund kur ajo mëson se burri i saj bukëpërmbysës, i cili ende nuk ka shkruar librin e tij të parë, e tradhton atë. Ashiqare s’ka pasur kohë të shkruajë sepse tradhtia kërkon angazhim!

Për më tepër, ai kërkon alimentacion dhe për këtë ai pajtohet të marrë shtëpinë duke e lënë Frances në rrugë. Rruga e shtynë atë drejt Italisë, më saktë në Toskanë ku bileta i sigurohet nga shoqja e saj shtatzënë.

Tash kur bën bashkë bukurinë dhe sharmin e Diane Lane me bukuritë e Toskanës, ke një parajsë vizuale që të shkrinë zemrën.

Kështu është për pjesë të gjatë, me Françeskën e cila provon të ndreq një vilë të vjetër, të adaptohet me kulturën, dhe mbi të gjitha të gjejë atë që shumë veta nuk e gjejnë kurrë – njerëz që i kuptojnë, dhe ndoshta dashurinë e jetës.

Filmi ka karaktere dytësore interesante, përfshirë historitë e tyre – plakun që viziton rrugën e Frances, punëtorët polakë, dashurinë e dy të rinjve, dhe mbi të gjitha, Martini që rrënon tabutë për të cilat do të shkruajmë në një shkrim tjetër në Medium, kur të jenë kismet. Ndërkohë mundeni me i gjet shkrimet tjera në medium te medium.com/morinaluan – reklamë pa fije të marres.

E sa për filmin, ka gjithçka që duhet të ketë një film me aventurë italiane, sidomos për gjininë e bukur. Një film që flet për pavarësinë dhe butësinë njëkohësisht. E përsëris, Diane Lane dhe Toskana. A ka ma mirë? Nota personale: 4/5