Është problem të gjejmë simulator të mirë për Kupën e Botës, sidomos nga fakti që tri kombëtare nga tetë grupe avancojnë, mirëpo, në njërin që e bëra, si gjithmonë duke mos kursyer përzgjedhjet joracionale, Meksika doli të jetë gjysmëfinaliste kundër Argjentinës, të cilat një rreth më parë do të eliminonin Norvegjinë (e cila vinte pasi mposhtte Brazilin) dhe Kolumbinë.
Në anën tjetër, Spanj dhe Franca do të arrinin deri në gjysmëfinale, me Spanjën që do të përfundonte finaliste karshi Argjentinës, për titullin e parë evropian jashtë kontinentit të vjetër.
Deri në vitin 2002, kur Kupa e Botës është organizuar ose në Amerikë ose në Evropë, vetëm kombëtaret “vendase” kanë fituar titullin.
Argjentina
Pasi jemi në Amerikë, titulli duhet t’i përket dikujt jashtë Evropës, më saktë Amerikës Jugore.
Kolumbia nuk është për titull, krejt e dimë këtë, Brazili me Carlo Ancelottin e fotomodelët nuk meriton asgjë më shumë se turpërimi i stilit të vitit 2014. Kjo e le Argjentinën, përzgjedhjen e duhur dhe të shumicës për shumë arsye.
Kanë strukturë, nga terreni në bankinë, kanë lojtarë që kryejnë detyrat, dhe për gjithçka tjetër, vjen edhe ndihma nga anale tjera.
Janë skuadra më e kompozuar, dhe pas Spanjës e Francës i bën të përkryer për kampion. Nejse, Franca e ka Mbappen, kështu që Spanja dhe Argjentina duhet të jenë finalistet e kësaj Kupe të Botës.
Dhe titulli, ashiqare, për përfaqësuesen jo-evropiane.
Pagjumësia
Kjo garë do të na lë pa gjumë, por së paku do të duhet të jetë më e mirë se ajo në Brazil, për shumë arsye. Edhe USA 94 ishte më e mirë se Brazili, e lëre me kjo.
Orari i ngjeshur me 48 kombëtare na ngarkon edhe më shumë, me ndeshje që fillojnë nga 6 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, varësisht në cilën pjesë të Amerikës luhen.
Ashiqare do të na duhet të shikojmë disa repriza, neve që kemi orar të rregullt pune, ose të çrregullt, ose pushim, kush e ka atë nafakë.
Pastaj, të zgjohemi në gjysmë të natës të shohim skuadra të cilat do të shërbejnë vetëm si golaverazh do të ishte humbje gjumi dhe kohe.
Dita 1
Dy ndeshje në program, për të dytën nuk ia vlen të zgjohemi.
Çekinë e pamë me Kosovën javën e kaluar, dhe pak të vjen inati kur kombëtare që me zor të mposhtin janë aty, e ti mbetesh në shtëpi, pa kombëtare për të përkrahur, por, le të jetë e fundit Kupë që nuk na ka neve aty!
Dhe do të jetë.
Çekia do të duhej të kalonte lehtë grupin, bashkë me Korenë Jugore, dhe kjo do të duhej të diktonte një lojë më të matur sonte – qëllimi është të humbësh me sa më pak gola që të shpartallosh Afrikën Jugore, ashiqare kombëtaren më të dobët në grup.
Një shpartallim i tillë do të vendoste Meksikën në piedestal në ditën e parë, dhe nuk do të duhej të shihej si diçka e pamundur.
Fitorja e Meksikës nuk duhej të dyshohet, vetëm diferenca në gola. Kanë ekip të kompletuar, në çdo pozitë, dhe sivjet nuk dinë çka është të pranosh gol, lëre të humbësh pikë – 6 fitore e 2 barazime (Portugalia e Belgjika), me vetëm dy gola të pësuar, e me 15 gola të shënuar.
Kjo formë e shkëlqyeshme do të mjaftonte për një rrugëtim deri në gjysmëfinale, pasi titulli i kampionit do të ishte diçka e pamundur, por çfarë rrugëtimi senzacional, i një populli që e do futbollin, për dallim prej fqinjëve të tyre veriorë të cilët nuk meritojnë të organizojnë këtë, por…
E dimë që FIFA është kartel kriminel, por jemi shumë të dhënë pas kësaj droge të quajtur futboll, dhe do të durojmë gjithçka sepse padeli nuk është sport!
21:00 Meksika – Afrika Jugore
04:00 Koreja Jugore – Çekia

