Ancelotti

Shumica e fansave të Japonisë mbrëmë, si zakonisht, më shumë ishin kundër Brazilit se sa për Japoninë.

Këtu është dallimi mes përkrahjes së Japonisë dhe Meksikës, të cilat që nga fillimi i kam parë si befasitë më të mëdha, me njërën të kalojë në çerekfinale së paku.

Japonia e humbi këtë për shkak të butësisë në grupe, dhe këtu e pati fatin të takohet me Brazilin, e këndellur me ardhjen e Ancelottit.

Pas një goli të papritur dhe një mbrojtje të përkryer, vjen në pah efekti Ancelotti.

Me cilindo trajner, Brazili do të udhëtonte në shtëpi mbrëmë, turpshëm, si para katër viteve.

Por jo me Ancelottin.

Me fillimin e pjesës së ty, Carlo ndërroi qasjen, gjeti mënyrën që të çajë përbrenda mbrojtjen e ngjeshur japoneze, dhe në fund përfitoni nga shpërqendrimi i japonezëve në fund.

Brazili nuk është ende ai Brazil që nuk falë, që luan bukur (joga bonito).

Ende janë një skuadër që nuk ka strukturë, talent ekipor, sa individual.

Dhe është ky talenti individual, tentimi për t’u veçuar që i bën fansa kundërshtarët e tyre, dhe mbi të gjitha rreziku që Vinicius Junior mund të marrë primatin, të fitojë diçka, marrë parasysh krejt ato që ka bërë në të kaluarën.

Personalisht, çdo lojtarë të padisiplinuar i cili ngrit veten mbi ekipin e kam antipatik, dhe sot shumica janë të tillë.

Brazili nuk ka lider, ka të nënshtruar në fushë, por ky lloj nënshtrimi zbutet me Ancelottin.

Tek të tjerët nuk ka asgjë, për shembull…

Gjermania

Këta nuk kanë as lider në fushë, as trajner, as federatë, as shtet!

Kështu është kur merresh më shumë me gjëra që s’kanë të bëjnë me futbollin, dhe zmbrapsesh kur të bie topi.

Më shumë se lojë në fushë, Gjermania kërkon të shfaq multietnicitetin, gjithëpërfshirjen, edhe luftën kundër dukurive negative, sipas tyre. Pos kur vijnë në Amerikë, këtu gjithçka është lule, dhe vetëm ata janë i njëjti m*t.

Woltemade, Wirtz, Havertz mund të kushtojnë qindra miliona euro, por nuk janë liderë në fushë.

Lideri supozohet të jetë Kimmich, por ai është gjithmonë si djali i preferuar i shefit i cili sillet si lider, por pos fizikut duhet edhe përgatitje, dhunti psikike për të qenë kapiten.

Kur e krahason atë me emra që ka ngritur trofe për Gjermaninë, te Mathaus, Sammer, Brehme, Beckenbauer, edhe e sheh Kimmichin, atëherë e di sa poshtë ka ra kjo Gjermani.

Pastaj, sheh postimin krenar të kancelarit gjerman që vjen si vulë në rënien e një kombi që është më i miri në histori të futbollit, aty me Brazilin.

Por, rënia evropiane është njëfarë kënaqësie në vete. Sidomos kojshitë e tyre…

Holanda

Cody Gakpo i ka fituar titullin Liverpoolit dy vite më parë, dhe këtë nuk e vërejnë as fansat e tyre, e aq më pak hejterat.

Lojtari më i mirë në fushë është ai që të hapë lojën, të krijon hapësirën, dhe kontribuon në fitore, pa statistika. Prandaj, kur nuk e sheh lojën, nuk e di rëndësinë e Gakpos.

Njashtu edhe te Holanda, por Holanda nuk ka kualitet më.

Feyenoord e PSV kanë filluar të veprojnë si fabrika me importim talentesh – marrin nga Gjermania, i bëjnë të mirë, pastaj i shesin në Gjermani, apo me pak fat në Angli.

Ajaxi ka rënë aq shumë politikisht sa që talentet më të mëdha i shet në ekipe italiane që luftojnë për mbijetesë, aty ku edhe Feyenoordi jep hua me të drejtë blerje.

Kjo është rënia kombëtare e Holandës, e cila gjeneratën e fundit të artë e ka pasur me Ten Haagun dhe Ajaxin kur ishin pranë finales. Tash, janë vetëm prodhim për eksport, dhe prandaj, kemi katër qendërmbrojtës në linjën e mbrojtjes, të cilët dështojnë mu kur duhej më së shumti.

Por, duhet të pranojmë që Maroku ka bërë një revolucion në futbollin afrikan.

Së pari kanë fituar titullin në tavolinë!

Bono

Nuk mundesh mos me dashtë Bonon.

Nuk mund ta quaj revolucion se sot kushedi kush e bën i pari, dhe tjerët vetëm e kopjojnë, por lëvizjet e tija në këmbë anash në portë ishin shumë më të mençura se disa parada që bëjnë portierët që hedhen me shpresën se po qëllojnë anën.

Bono dukej me plan, e edhe nëse ishte gabim, do të kishte më shumë gjasë të kapte topin në anën e kundërt.

Gjithmonë ka qenë i veçantë në pritjet e tija, dhe këtë e vërtetoi edhe mbrëmë.

Por, shakatë mënjanë, Maroku dhe shumë vende tjera kanë filluar të peshkojnë, sikur Kosova, për të marrë lojtarët e tyre nëpër Evropë, ata që nuk duket se kanë vend te kombëtaret e mëdha, si Franca.

Kjo ka ngritur kualitetin te këto kombëtare, e mbi të gjitha kthimi i lojtarëve në liderë ekipesh – Salah, Mane, Hakimi, Mahrez, Williams. Të njëjtën kulturë lideri po e përkthejnë edhe te kombëtarja, e bashkë me talentin dhe ekspertizën evropiane, suksesi po duket i pamohueshëm.

Mbi të gjitha, po luajnë futboll me zemër, jo me numra, dhe kjo po i shtynë para.

Ende nuk mendoj se një vend jo-evropian do të mund të fitojë titull të Kampionit të Botës jashtë Evropës.

Prandaj, fituesi po dihet, vetëm nuk dihet sa penallti do të marrë deri në fund.