Gjersa Wrexham AFC po ngjitet në aspektin sportiv, seria për Wrexhamin po i humb yjet që kishte.

Paul Mullin nuk është më, as Ollie Palmer, e edhe ata që na shtynë të shikojmë e të lidhemi me këtë ekip nga kategoria e pestë e futbollit anglez, shumica janë larguar.

I vetmi që ka mbetur është Phil Parkinson dhe “fu^k” e tij që i jep, e që vijnë çdo episod sikur të jetë një zakon i pashkruar i producentëve.

Megjithatë, ideja që të përqendrohen më shumë në komunitetin, në emra dhe persona jashtë fushës së blertë po ndihmon të bëjë serinë më të afërt me shikuesin.

Kësaj radhe kishim një intervistë të njërës nga punëtoret e stadiumit e cila ankohej se ulësja në stadium ishte pranë ish-it të saj para se të fillonte të shkonte në një seri bizare të ankesës për jetën private, e që u bë një hit në rrjetet sociale.

Por, për neve që donim të shihnim një ekip të vogël të kishte sukses, tash disi na ka humbur ajo atmosferë, dashuria për një komunitet që ende kërkon ngritjen në nivelin më të lartë të futbollit anglez.

Tash kemi miliona që shpenzohen në lojtarë, e të cilët nuk arrijnë të gjejnë një lidhje emocionale me shikuesin sado që provojnë të shtyhen para kamerave. Disi e doje Paul Mullinin për thjeshtinë e tij, sakrificat në jetën private, e njihje familjen e tij.

Nuk mund të lidhemi njëjtë me Kieffer Moore, Conor Coadyn, e milionerë tjerë të cilët thjesht nuk kanë gjë që na lidhin me jetën e tyre.

Interesante ishte historia e ekipit të vajzave, të cilët u bënë për herë të parë kampion të Uellsit.

Sot fillon sezoni i ri i Wrexhamit në futbollin anglez, dhe besoj që do të kemi edhe një sezon të gjashtë, ndoshta final me ngjitjen e tyre në Premier League, sidomos pas një vere ku përsëri u harxhuan miliona.

Suksesi i Wrexhamit në fushë është në kundërshtim me serinë Welcome to Wrexham, por megjithatë do ta vazhdojmë ta shohim sepse është më e mirë se gjithçka tjetër që është realizuar për ekipet e futbollit.

Kjo seri është më shumë për komunitetin, dhe kjo e bën më të afërt. Nota personale: 3/5