Armiku më i madh i jonë nganjëherë është vetvetja… dhe koha… dhe filmat…
Rrugës për në Nju Jork, Herri hipën në veturën e Sellit, që është shoqja e ngushtë e të dashurës së Herrit, Amandës. Tema e parë që diskutojnë në rrugën e gjatë nga Çikago është se a mund të jenë shokë një burrë dhe një grua, e që është vetëm ndër temat e para ku kanë mospajtime.
Pesë vite më vonë, ata takohen në të njëjtin fluturim, kur Selli po del me komshiun e Herrit, Xhoin, e Herri, për çudinë e Sellit është fejuar me Helnën.
Dy vite më vonë…
Në regjinë e Rob Reiner e skenarin e Nora Ephron, “When Harry Met Sally…” është ndër komeditë romantike që kanë shënuar një dekadë që do të dominohet nga ky zhanër, me disa tituj që edhe sot zënë majat e përhershme të komedive romantike.
I tillë është edhe ky film, që niset nga diçka që sfidon besimet e të dy karaktereve skajshmërisht të kundërta sa i përket dashurisë dhe romancës.
Është vetëm një orë e gjysmë i gjatë, me dialogë e monolog në pikë e larg filozofisë, dhe një harmoni të tensionuar që arrijnë ta përçojnë në skenë si dy karaktere të pjekura sa i përket shoqërisë femër-mashkull, dhe sfidat për mbijetesën e saj.
Është një super-aktrim me harmoni skenike superiore të Meg Ryan e Billy Crystal në rolet kryesore, që i bën ata një nga çiftet legjendar në kinmetografi.
Për mua është ndër filmat më të mirë rom-kom të cilin e kam përmendur aq shpesh sa më duket se ky nuk është recensimi i parë. Por nota është e njëjtë. Nota personale: 5/5

