Janë disa armë që përcaktojnë rezultatet e një lufte, ashtu siç bëri bomba atomike në “Oppenheimer,” apo baruti në “The Last Samurai.”
Në filmin e vendosur në vitin 1876, arma që përcakton gjithçka dhe të cilën e ëndërrojnë të gjithë, e indianët janë gati të shesin shpirtin për të, ashtu siç thuhet në fillim të këtij filmi është pushka Winchester ’73.
Për këtë pushkë, në një qytet në Kansas organizohet një garë shenjëtarie ku si shpërblim është “një në njëmijë,” pushka Winchester 1873.
Në këtë garë, në mesin e shumë vetave, janë edhe Lini dhe dikush që i ka borxh atij, Henri. Me t’u takuar në këtë qytet, ku marshall është Wyatt Earp i famshëm edhe në filma tjerë, ata përmbahen të nxjerrin armët, për shkak të ligjit se çdo armë e nxjerrë konfiskohet nga marshalli.
Por, kjo garë do të jetë vetëm një ringjallje e inatit dhe zënkës ndërmjet Linit dhe Henrit, që do të përcjell krejt filmit, gjithnjë me pushkën në plan të parë.
Në rolin kryesor vjen James Stewart, në rolin e Lin, për të cilin është filmi i parë regjinë e të cilit e bën Anthony Mann. Është fillimi i një serie filmash interesant që vijnë si fryt i këtij bashkëpunimi, ndoshta edhe më i miri.
Në rolin e Henrit vjen Stephen McNally, e Shelley Winters është në rol tjetër kryesor. Edhe Tony Curtis e Rock Hudson kanë role më dytësore.
Filmi vlerësohet si një uestern i veçantë, me pak nuancë të filmit noir, dhe më shumë është një zënkë personale e dy karaktereve se një përmbledhje betejash mes dy palëve siç ndodh zakonisht mes amerikanëve dhe indianëve vendas.
Pos historisë interesante, zgjat vetëm 92 minuta që nuk e bën të kotë temën, që ndonëse nuk është shumë e zgjeruar, është mirë e thurur. Nota personale: 4/5

