Woman of The Year (1942)

Woman of The Year (1942)

Në atë që do të ishte fillimi i një bashkëpunimi të mrekullueshëm në skenë, e që do të vazhdonte edhe jashtë skenës në aspekt më privat, Katharine Hepburn do të merrte në filmin për “gruan e vitit” në krah Spencer Tracyn, e do të caktonte për regji George Stevens.

Bile, ajo do të shkonte aq thellë sa do të përzgjidhte edhe dy skenaristët për të shtjelluar historinë të cilën ia kishte shitur vetë ajo MGM-it. Ring Lardner dhe Michael Kanin do të fitonin Oskarin për skenarin më të mirë, e Hepburn do të nominohej për aktoren më të mirë të atij viti.

Këtu, ajo luan rolin e Tesës, një gazetare e njohur për marrëdhënie ndërkombëtare, e edukuar, e shëtitur, dhe mbi të gjitha e zonja e vetvetes. Ndoshta mund ta quajmë edhe si njërin ndër filmat e parë feministë të Hollywoodit, por jo në atë konotacionin negativ në të cilin shpesh rrëshqet ky term sot.

Spencer Tracy është gazetar sporti i quajtur Sam në këtë film, dhe lidhjen e tyre në distancë mund ta quajmë “virtuale,” me të dy të njohur paraprakisht nga shkrimet, e më vonë edhe në jetë reale, duke vazhduar atë përplasjen e dy botëve.

Kjo përplasje vetëm sa shkon e zgjerohet e rëndohet, derisa të dy mbesin të ngujuar në botën që kanë ndërtuar rreth vete, ndonëse me gjithë zemër mundohen t’i gjejnë njëri-tjetrit një vend thelbësor përreth tyre.

Është një romancë e mirë, e thjeshtë, që më shumë duket si një ngjarje normale, si një vëzhgim i një çifti gazetarësh, pa shumë komplikime ekstravagante.

Kjo thjeshtësia disi e bën filmin të këndshëm, sidomos falë harmonisë skenike që kanë Katharine Hepburn dhe Spencer Tracy. Nota personale: 4/5