Hysny është i dashuruar në Hysnyjen!

Por, Hysnyja nuk i jep çehre, dhe për këtë, Hysnyu angazhon Xhemalin si këshilltar për msit, por Xhemali është dallavergji.

Në anën tjetër, Maliku ka marrë krejt lagjen e Hysnyjes si borxh që ia ka Magbulja. Tash, ai kërkon ose pagesën e borxhit ose largimin e krejt lagjes.

Për t’i dalë Malikut përballë dikush, duhet të jetë kapadai.

Kur dëgjon këtë problem të lagjes Xhemali, ua ofron një zgjidhje – ai e njeh një kapadai. Ai është Hysnyu.

Si dallavergji i madh, Xhemali do të fitojë para edhe nga lagjja që kërkojnë një kapadai, edhe nga Hysnyu, i cili kërkon të impresionojë Hysnyjen, e cila është banore e lagjes, si dhe punëtore në dyqanin e babait të saj, gjithashtu në lagje.

Në këtë mesele, të gjithë do të humbin, pos Xhemalit.

Hysnyu, i pavetëdijshëm që krejt kapadaillëkun e ka fituar me paratë që ia ka dhënë Xhemalit, vendos t’i kundërvihet edhe Malikut.

Tash, a do ta përcjell fati Hysnyun, apo do të mbarojë pa Hysnyen, e lagjja pa shtëpitë, mbetet të shihet.

Kemal Sunal këtu vjen në një rol jo aq të panjohur për të, por si asnjëherë i dashuruar. Aq i dashuruar sa që fillon edhe të këndojë serenada, turke ashiqare, ndonëse me kasetofon mobil.

Përkrah tij, në rolet e rralla bashkë, ndoshta edhe të vetmin, vjen Oya Aydogan në rolin e Hysnyjes, e Sevket Altug është Xhemali.

Sigurisht edhe rolet tjera dytësore janë fytyra të njohura të kinematës turke si Ali Sen, Unal Gurel, e Belkis Dilligil, por ne e kqyrim për Shabanin, dhe Shabani e shohim sa të duash këtu.

Si gjithmonë, ka momente me fat, të papritura, me komedi tipike turke të stilit të Kemal Sunal, dhe si filmat e tij, asnjëherë nuk bëhet i bajatshëm. Nota personale: 4/5https://www.youtube.com/watch?v=gPbAredRRqw