Është një proporcion i zhdrejtë i njeriut me teknologjinë, mendoj – sa më shumë që zhvillohet teknologjia për të mirën e njeriut, aq më i keq bëhet njeriu.
Në zanafillën e komunikimeve online, NY152 dhe Shopgirl fillojnë të shkëmbejnë mesazhe në internet, diçka që zhvillohet deri në një romancë, të pavetëdijshëm që në jetën reale ata janë rivalë që po luftojnë kundër njëri-tjetrit.
Filmi është ndoshta maja e romancës së viteve ‘90ta duke bashkuar treshen që ka shënuar këtë dekadë në këtë zhanër të filmave – Nora Ephron si skenariste e regjisore në këtë rast, Meg Ryan e Tom Hanks në rolet kryesore. Për të tre, ky është filmi i dytë, derisa për Ryan e Hanks, bashkëpunimi i tretë.
Gjersa atëbotë del të ishte një “risi” në botën e filmave, përfshirë edhe hezitimin e disa karaktereve në lidhje me këtë zhvillim të teknologjisë, sot, duket të jetë një fakt se “dating” online ka devijuar nga shkëmbimi i mesazheve, në rrëshqitjen mbi foto, që shpesh edhe janë të “huazuara!”
E nganjëherë, mendoj si paraardhësit tanë kanë mundur të mbijetojnë me nga dy letra postare në vit gjersa kanë punuar në perëndim, e gratë janë kujdesur për një shtëpi me burrin në kurbet!
Ashiqare, dashuria si emocion sot duket më “sipërfaqësore” se që na kanë mësuar filmat e Meg Ryan, e cila sot do të ishte një “mid” e as s’do të diskutohej për filma romancë të këtyre viteve.
Prandaj, “You’ve Got Mail” mbetet një klasik romantik që paralajmëron një ndryshim kolosal që do të ndryshojë këtë zhanër përgjithmonë. Nota personale: 5/5
