Në natën e fundit të pushimeve verore të vitit 1962, Kërt dhe Stivi, dy maturantë gjatë shëtitjes me vetura, takojnë miqtë e tyre, Xhonin dhe Terrin, në atë që del të jetë një natë e adoleshentëve që shëtisin me vetura, pa ndonjë qëllim të qartë a përfundimtar, me udhëtime që shpesh devijon nga plani i tyre fillestar, gjatë të cilës rrugë takojnë njerëz e hasin në ngjarje të papritura që u ndryshojnë mendjen.
Për shumëkund “American Graffiti” është ai filmi i George Lucas para se të fillonte me tituj si Star Wars e Indiana Jones, një sukses artistik por edhe më shumë komercial.
I bazuar në jetët e tija të gjimnazit nëpër Kaliforni, filmi kryesisht zhvillohet natën, nuk sjell ndonjë aksion të veçantë, sa muhabete të thjeshta e të lehta, e që nëse duam mund t’i komentojmë edhe si të thella e filozofike, varësisht a jemi në moshën e karaktereve në film, apo pak më të pjekur.
Mund të themi se filmi tregon një natë në jetën e adoleshentëve, që mund të definojë edhe këtë periudhë të tyre – argëtim i përkohshëm, që mund të duket i papërmbushur, mendjelehtësi, pavendosmëri, dhe panjohuri për atë që është në rrugën para!
Richard Dreyfuss e Ron Howard vijnë në rolet kryesore me George Lucas që është regjisor dhe pjesë e ekipit të skenaristëve, ndërkohë Francis Ford Coppola vjen në rolin e producentit.
“American Graffiti,” është një film i thjeshtë, i lehtë për t’u shijuar në një natë vere për të kujtuar ditët e “gajleve” të gjimnazit, të cilat tash na duken qesharake. Nota personale: 4/5
