Ky mund të jetë filmi më “amerikan” i bërë ndonjëherë!
Te “How the West Was Won,” i vitit 1962, tre regjisorë realizojnë pesë pjesë të ndara që tregojnë nga një pjesë të historisë së Amerikës, më saktë, shtrirjes së saj drejt perëndimit, duke sjellë në plan të parë jetët e familjeve të thjeshta amerikane, pioniere të shtrirjes drejt Paqësorit dhe pushtimit të perëndimit të egër.
Më e veçanta e këtij filmi mund të jetë fotografia me të cilën vjen versioni i rinovuar i filmit origjinal, që është i zgjedhur për t’u ruajtur në Bibliotekën e Kongresit amerikan për shkak të vlerës kulturore, historike, dhe estetike që ka.
Pastaj, kur kalojmë tek emrat që paraqiten në film, kemi një parakalim ikonash të kinematografisë amerikane, emra që kanë shënuar historinë e filmit, edhe këndej oqeanit e gjetiu.
John Ford është në krye të treshes së regjisorëve, që përbëhet edhe nga legjenda e filmave uestern, Henry Hathaway, dhe pionieri i filmave të para-Luftës së Dytë Botërore, George Marshall.
Puna e tyre shihet duke sjell një gërshetim të filmave uestern në një dramë epike me përmasa gjigante që do të mbetej në historinë e kinematografisë për shumë dekada.
E para tyre, janë emra si James Stewart, Gregory Peck, Henry Fonda, Karl Malden, Eli Wallach, Debbie Reynolds, Carroll Baker, e edhe Harry Dean Stanton me një rol minimal.
Që të gjithë këta kanë role nëpër pjesë të ndryshme të filmit që janë të ndara në lumenjtë, fushat, hekurudha, vagabondët, e Lufta Civile, duke përfshirë një histori 50-vjeçare të Amerikës, nga viti 1839 deri në 1889.
Dhe sikur këto nuk mjaftojnë, Spencer Tracy vjen në rolin e narratorit të historisë gjersa lëvizim nga skena në skenë, nga periudha në periudhë.
“How the West Was Won,” është film epik edhe për nga cilësia, dhe mund të them që është filmi “më amerikan” që është bërë deri tani. I përkryer. Nota personale: 5/5

