Pas vazhdimit të parë, xhandarmëria e St. Tropez e gjen veten rrugës për në Nju Jork, në konferencën e sigurisë për të ndarë përvojat me trupa tjera simotra nga vendet tjera.

Veçse, ftesa u vjen vetëm xhandarëve, pa gra a fëmijë, dhe kjo irriton Nikolën, të bijën e inspektorit Krusho.

Si në filmin e parë, njashtu edhe tash, krejt problemet rrjedhin nga Nikola, e cila e gjen rrugën nëpër Francë te Atlantiku, e në anije për Nju Jork. Thuajse kjo nuk i mjafton, ajo vazhdon me tollovi edhe në Nju Jork, por larg të atit, të cilin nga larg e bën për psikiatri.

Luis de Funes këtu është edhe më i rehatshëm në rolin e tij, më i lirë, ndonëse pak i lehtësuar nga karakteri dhe taksirati që e gjen kur i përfytyrohet e bija, e cila në fakt do të duhej të ishte në Francë.

Pakënaqësia e tij me Amerikën, të cilën si çdo francez e sheh me përçmim, nga ushqimi deri te kultura e gjuha bien në pah, e një pjesë goxha komike janë mësimet e anglishtes, ku mësues i xhandarëve është vet Krusho.

“Le Gendarme a New York” është goxha interesant për shkak se kemi xhandarmërinë larg zonës së komforit, dhe vetë karakterin e Krushos në forma e karaktere të ndryshme brenda filmit, me një finale pak drithëruese, për të rrumbullakuar një komedi tipike franceze. Nota personale: 4/5