Është zor të besohet se jemi duke jetuar në çfarëdo tjetër pos një simulim që është një betejë e përhershme e dy poleve të kundërta, që në fund gjithmonë dalin baras!

Lufta e të mirës kundër të keqes është edhe temë e shumicës së filmave për Perëndimin e Egër dhe kaubojt, por zakonisht të këqijtë janë vendasit, meksikanët, dhe persona tjerë jo “amerikanë të bardhë.”

Te “My Darling Clementine” nuk është kështu.

Dhe kjo e bën këtë film njërin nga filmat më të mirë në këtë zhanër.

Wyatt Earp, një person legjendar në historinë amerikane, nuk ka një të kaluar aq të dëlirë sa supozohet, por mbetet simbol i luftës së të mirës ndaj të keqes duke justifikuar rezultatin final pavarësisht zanafillës që ka njeriu.

Bashkë me vëllezërit e tij, Morganin dhe Virxhilin, Wyatt shkojnë në një qytet pa ligj – Tombstone – por Xhejmsin e lënë për të ruajtur bagëtinë në rrugë për Kaliforni.

Në Tombstone, Wyatt vendos rendin falë guximit të tij, por kur kthehen për të marr Xhejmsin, e shohin që ai është vrarë dhe bagëtia nuk janë më. Në shenjë hakmarrje, Wyatt vendos të vë rendin në Tombstone dhe të gjejë vrasësit e vëllait të tij.

Në qytet, ai takon Dokin, dhe ish-të dashurën e tij, Klementinën që vjen nga Bostoni. Dhe shumë herë përballet me Klantonët – vrasësit e vëllait të tij.

Nën regji të John Fordit, filmi ka dialogë, rrëfim, dhe mbi të gjitha natyrë e skena të bukura që të dëshmojnë se bota është e bukur edhe për daltonistët!

E mbi të gjitha, ka duele legjendare ndërmjet Earpave e Klantonëve, dhe jo vetëm, me aktrim fenomenal të Henry Fondës, Victor Mature, dhe aktorit të preferuar tim në rolet dytësore Walter Brennan.

Është njëri nga klasikët më të mirë të Hollivudit në zhanrin uestern, dhe me njërën ndër këngët edhe më legjendare se filmi. Nota personale: 5/5

Filmi është edhe në YouTube – https://www.youtube.com/watch?v=6XQDKYGtnV4