Police Academy (1984)

Police Academy (1984)

Njëra nga seritë e filmave më të mirë komedi që kemi parë ndonjëherë të vijë nga Amerika ka të bëjë me një akademi policore e cila për kohën kur është shfaqur padyshim që ka qenë ndër më të mirat të bëra ndonjëherë.

Arsyeja për këtë është që secili karakter ka një të metë e një avantazh të vetin që e bën atë të dashur te së paku një pjesë e audiencës, nga gjiganti Hajtauer, te Xhonsi me tingujt e tij të çuditshëm që ndoshta është përgjegjës për copëzat më të mira të komedisë së lehtë që na sjell kjo seri filmash.

Pastaj kemi Takëllberrin me armët e tija, si një amerikan klasik, Mahonin si kryesori i krejt tollovisë, dhe sigurisht, në krejt këtë, një antagonist që ofendimet i merr si lëvdata, sidomos në vazhdimet pasuese, Harrisin.

Krejt fillon kur për t’i vënë ballë krimit që ka kapluar qytetin, kryetari i qytetit i hap dyert e akademisë policore për këdo që aplikon, pavarësisht aftësive të tyre fizike, edukimit, apo të kaluarës së tyre. Kjo mbledh gjithë ato karakteret të ndryshme të cilat vijnë dhe ofrojnë një lloj të veçantë të komedisë e që kur kombinohet bëhet një koktej që gjen audiencë të gjerë.

Dhe, kur i lëshohen kriminelëve, atëherë është pjesa më e mirë, sepse pa asnjë ide e plan të bashkërenduar për të zgjidhur problemin, secili nga karakteret niset në udhën e tij, e cila sigurisht që ka edhe mangësitë e saja, të cilat gjithashtu përfundojnë me një humor absurd, të paplanifikuar, por që zgjon nostalgji dhe po ta shikojmë njëqind herë prapë do të qeshim. Është një hakmarrje e të nënshtruarve të cilët dëshmojnë se janë të aftë të luftojnë krimin, përkundër mangësive, dhe gjatë këtij procesi të na kënaqin me të qeshura. Nota personale: 5/5