Edhe një herë forcat policore janë të mbingarkuara dhe me mungesë stafi, por kësaj radhe komandanti Lasard vendos të angazhojë qytetarët vullnetarë për të ndihmuar policinë në detyrat e tyre.
“Qytetarët në patrullë,” mbledh civilë të njohur për skuadrën – vjehrrin e Takëllberit, një fëmijë për të cilin kujdesej Hajtauer si dado, dy delinkuentë, dhe mbi të gjitha, plakën e etur për armë, Luizën.
Në mesin e emrave të rinj janë David Spade, Sharon Stone, e Billie Bird si Luiza, që padyshim është prurja më e mirë në këtë film.
Si gjithmonë, edhe kësaj radhe Harrisi është kundër vetë forcës duke krijuar atë rivalitetin e brendshëm, të zakonshëm, e skuadra kthehet me armët e tyre më të mira që kanë pasur në filmat paraprak, kësaj radhe prekin edhe ajrin.
Filmi është në nivel, secili karakter tashmë e ka zonën e tij të rehatisë dhe shakatë që na bëjnë të qeshim, por kjo zonë sfidohet nga këto prurjet e reja, e më së shumti, dhe më së miri preket Zedi, i cili zbutet sa më s’ka.
Edhe ky vazhdim i Akademisë Policore kënaq fansat e tij, pavarësisht kritikave të “ekspertëve,” ndonëse një pjesë e akteve të skeçeve mund të duken të plakura, të shpenzuara, por vetëm nëse i shikojmë radhazi, të katër filmat deri këtu.
Përndryshe, edhe “Qytetarët në Patrullë,” është komedi e kënaqshme kur na nevojitet një çlodhje. Nota personale: 3/5

